Kosova u bashkohet angazhimeve globale kundër Virusit Ebola
Prishtinë, 8 shtator - Eksperti kosovar i mikrobiologjisë dhe kontrollit të infeksioneve Prof. Lul Raka, ka udhëtuar sot për Liberi për të kontribuar në angazhimet globale në përballjen me epideminë e shkaktuar nga virusi Ebola, i cili ka prekur disa vende të Afrikës Perëndimore.
Dr. Raka është përzgjedhur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si konsulent për parandalimin dhe kontrollin të Ebolës në nivelin nacional në Liberi dhe pritet të qëndrojë 6 javë në këtë shtet afrikan.
Përvoja e fituar në Afrikë do të jetë e rëndësishme edhe për shëndetësinë kosovare në rast të ballafaqimit me rastet eventuale të Ebolës në vendin tonë.
Para nisjes për në Liberi, dr. Raka është pritur nga Shefi i Zyrës së OBSh në Kosovë- Dr. Skender Syla, i cili ka vlerësuar lart gatishmërinë e dr. Rakës për tu bërë pjesë e kontributit global në luftën kundër Ebolës dhe i ka dëshiruar sukses në këtë mision.
Për këtë sfidë dhe angazhim, Dr. Raka është përgëzuar edhe nga zyrtarët e lartë të MSh dhe IKSHPK, të cilët kanë përshëndetur angazhimin e tij në Liberi.
Epidemia aktuale e Ebolës deri tani pati 3967 raste të sëmundjes me 2105 raste të vdekjes. Kjo epidemi po veçohet me shtrirje edhe në zonat urbane si dhe me prekjen e një numri të konsiderueshëm të punëtorëve shëndetësorë (120 raste të vdekjes).