24 Dhjetor 2024

Kosova, storie suksesi në fushën e shëndetit mendor

Prishtinë, 10 tetor - Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë shënoi sot  Ditën Botërore të Shëndetit Mendor.

Motoja e sivjetme e kësaj dite është: “Shëndeti mendor dhe të moshuarit”.Organizimi kryesor me rastin e kësaj dite u mbajt në Qendrën e Shëndetit Mendor në Prishtinë, derisa organizime të ngjashme janë mbajtur edhe në qendrat e tjera të shëndetit mendor në rajonet e Kosovës.

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Ferid Agani, e vlerësoj shumë lart punën që është bërë ndër vite në shtatë qendrat e Shëndetit Mendor në Kosovë, në kuadër të reformës së shëndetit mendor, duke i falënderuar punonjësit shëndetësor të këtyre qendrave dhe Zyrën e OBSH-së në Prishtinë, për ndihmën e dhënë në vazhdimësi në përparimin e shëndetit mendor në Kosovë.

Shëndeti mendor, ka theksuar Ministri Agani, paraqet njërin prej dimensioneve më komplekse për t’u adresuar në kuadër të shërbimeve shëndetësore, por falë reformës së filluar nga profesionistët e fushës menjëherë pas luftës, Kosova ka shënuar progres të madh dhe shërbimet e shëndetit mendor në Kosovë kanë avancuar prej viti në vit.

“Shërbimet e shëndetit mendor në Kosovë cilësohen me kualitet të lartë dhe janë njohur edhe nga OBSH në raportet e saj”, theksoi Ministri Agani, duke theksuar se përvoja e reformës në shëndetin mendor, do të bartet edhe në reformën e tanishme të sistemit shëndetësor që është në fillim të saj.

Ministri Agani e vlerësoi si shumë pozitiv faktin që Kosova nuk ka spital psikiatrik, sepse ka bërë një zgjidhje ndryshe, duke u përqendruar që shërbimet e shëndetit mendor të ofrohen në komunitet që është treguar model i suksesshëm.

Dr. Gani Shabani, Sekretar i Përgjithshëm në MSh, tha se e gjithë puna e bërë në fushën e shëndetit mendor ka qenë një koordinim i mirë i MSh-së me OBSH-në dhe profesionistët shëndetësor. Ai tha se mbesin ende sfida dhe punë të mëtejmë në fushën e shëndetit mendor, derisa si njërën prej të arriturave, Sekretari, e theksoi edhe eliminimin e stigmës ndaj personave me probleme të shëndetit mendor.

Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, tha se nga prizmi i kësaj organizate, shëndeti mendor është një prioritet i lartë si për OBSH-në, ashtu edhe për shtetet, rajonet për shkak të faktit se gjysmë miliardë njerëz në botë, janë të prekur nga problemet e shëndetit mendor.

“Kosova ka ndërtuar një sistem të mirëfilltë të shërbimeve të shëndetit mendor dhe progresi i arritur është vlerësuar edhe në Raportin e korrikut 2013 të OBSH-së, ku Kosova paraqitet si storie suksesi në sistemin e shërbimeve shëndetësore”, tha ai.

Dr. Sarija Doko, drejtoreshë e QSHM në Prishtinë, tha se prej themelimit të saj më 2003, e deri më tani, QSHM në Prishtinë bashkë me qendrat e tjera rajonale kanë arritur që përmes ekipeve dhe punës multidisiplinare të  ofrojnë shërbime dhe të sigurojnë mbikëqyrjen kontinuele të klientëve të tyre.

Dr. Gani Halilaj, shef i Zyrës së Shëndetit Mendor në MSh bëri një prezantim të arriturave në shërbimet profesionale të Shëndetit Mendor në Kosovë, duke shpjeguar organizimin e këtyre shërbimeve, vëllimin e punës, numrin e kuadrit, objektivat dhe sfidat e mëtejme.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)