23 Dhjetor 2024

Kosova, storie e suksesshme në vaksinimin e fëmijëve

Prishtinë, 25 prill - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Prof. dr. Ferid Agani tha sot se ngritja e shkallës së imunizimit të fëmijëve në 95 për qind, që është një përfshirje e lartë, e radhit Kosovën në mesin e vendeve më të suksesshme në botë sa i përket programit të vaksinimit të fëmijëve.

“Falë vaksinimit, Kosova sot nuk ka paralizë të fëmijëve që prej vitit 1981, nuk ka difteri, nuk ka tetanus neonatal që nga viti 1998 dhe ka përqafuar Programin e Eliminimit të Fruthit dhe kontrollit së rubellës kongjenitale”, theksoi Ministri.

Ai tha kështu në Shërbimin e Imunizimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, ku simbolikisht u shënua Java  Botërore e Imunizimit në Kosovë (21-27 prill 2012) si aktivitet i përbashkët i Zyrës së UNICEF-it dhe OBSH-së në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

“Sivjet ne po shënojmë javën e imunizimit me moton: Mbroni botën tuaj - Vaksinohuni” që po fokusohet në domosdoshmërinë që të ngrihet vetëdija e politikë-bërësve, punëtorëve shëndetësor, prindërve dhe e kujdestareve, po ashtu edhe e gjithë popullsisë për rëndësinë e imunizimit për të mbrojtur fëmijët nga sëmundjet e parandalueshme përmes vaksinimit dhe theksuar rolin kyç të profesionistëve shëndetësor në ndërtimin e praktikave të mira të parandalimit ndaj sëmundjeve ngjitëse vaksinë preventabile”, tha ministri Agani.

Ai theksoi se në Kosovë, Programi i Zgjeruar i Imunizimit (PZI) është program me prioritet të lartë dhe MSh ka miratuar politikat e imunizimit, planet dhe sigurimin e vaksinave dhe materialit tjetër, të hartuara dhe implementuara nga IKSHP, dhe që të gjitha këto në përputhshmëri me rekomandimet e OBSH-së dhe në vijë me politikën e imunizimit të miratuar nga MSh-ja.

Ministri theksoi se kujdes i veçantë po i kushtohet edhe realizimit të programeve të veçanta të përfshirjes së fëmijëve të komuniteteve RAE e serbe në mënyrë që secilit fëmijë t’i mundësohet vaksinimi.

Ai ka falënderuar OBSH-në për përkrahje dhe UNICEF-in përmes së cilit që nga viti 2003 sigurohen vaksinat e kualitetit të lartë.

Ministri Agani u ka bërë thirrje të gjithë prindërve që të vazhdojnë të mbajnë nivelin e lartë të vaksinimit të fëmijëve, pasi që edhe ata janë meritor për këtë sukses, krahas punonjësve shëndetësor.

Dr. Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së, tha se vaksinimi mbetet metoda më e mirë , më e lirë dhe më efikase për parandalimin e shumë sëmundjeve, derisa siguroi se përmes programeve të veçanta, në Kosovë i është dhënë mundësia secilit fëmijë nga secili komunitet që të vaksinohet.

“Vaksinimi është një indikator që flet se sistemi shëndetësor në vend është në rrugë të mirë të stabilizimit”, tha Ramadani.

Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë tha se kjo organizatë dhe UNICEF-i kanë mbështetur MSh-në në programin e imunizimit, ndërsa suksesi i këtij programi është i bazuar në tre shtylla: Prindërit; punonjësit shëndetësor dhe sistemi shëndetësor që ka mundësuar vazhdimisht të jetë në shërbim të procesit të imunizimit.

Zonja Laura Fragiacomo, U.D e shefit të Zyrës së UNICEF-it ë Kosovë, tha se është kënaqësi që të shënohen së bashku të arriturat në programin e imunizimit në Kosovë dhe kjo është një temë për të cilën “të gjithë së bashku duhet të jemi krenar dhe të vazhdojmë më tej me programin”, derisa ka theksuar rëndësinë që të arrihet që edhe pesë përqindëshi tjetër i fwmijwve të vaksinohen që është zotim edhe i institucioneve shëndetësore në Kosovë.

Z. Avdullah Hoti, nënkryetar i Komunës së Prishtinës dhe dr. Valbon Krasniqi, drejtor i Drejtoratit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Prishtinës, theksuan nivelin e mirë të organizimit të rrjetit të QKMF-vë dhe shërbimit të vaksinimit në komunën e Prishtinës ku janë 17 mijë fëmijë që vaksinohen.

Dr. Krasniqi tha se ftesa që u shkon prindërve për t’i vaksinuar fëmijët është dhurata më e mirë që atyre u bëhet pas gëzimit të lindjes së fëmijës , prandaj bëri thirrje që kjo mundësi të shfrytëzohet gjithnjë prej tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)