Kosova sot vetëm me një rast me koronavirus dhe 87 të shëruar
Prishtinë, 5 maj - Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar të martën 1 person të infektuar dhe 87 persona të shëruar nga koronavirusi.
"Rasti pozitiv është rast kontakti nga: komuna e Mitrovicës 1 rast (sipas vendbanimit: 1 rast Rekë)", është thënë në njoftim.
Sot po ashtu janë shëruar 87 pacientë. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është 490 raste.
Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.
Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 05 maj 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 3.694.087 raste të COVID-19 dhe 255.597 raste të vdekjes.