Kosova shënoi Diten Evropiane e Epilepsisë
Prishtinë, 11 shkurt - Me moton: Ngrihu për epilepsinë-Jo krizave dhe efekteve anësore, organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shoqata kundër Epilepsisë e Kosovës, sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Prishtinë, u shënua 11 Shkurti-Dita Evropiane e Epilepsisë.
Ministri i Shëndetësisë prof. dr. Ferid Agani, duke mbështetur aktivitetet sensibilizuese lidhur me këtë sëmundje, kërkoi që ato të jenë të sinkronizuara, pasi që theksoi se epilepsia paraqet një entitet klinik me kompleksitet të veçantë, që përveç trurit shtrihet edhe në rrafshe të tjera të trupit të njeriut. Fakti që përveç moshave më të vjetra prek edhe fëmijët, theksoi ai, kjo i jep një dimension të veçantë epilepsisë.
Ministri Agani tha se është shumë e rëndësishme që të ngrihet niveli i informimit nga ana e punonjësve të arsimit, profesionistëve shëndetësorë, familjeve dhe organizatave të shoqërisë civile, lidhur me problematikën e epilepsisë me qëllim të zvogëlimit të pasojave të saj.
Ministri tha se ndryshimet reformuese do të prekin edhe shërbimin kombëtare profesionale të neurologjisë dhe në këtyre organizmave të reja të shërbimeve të linjës, do të krijohen mundësi të reja , duke siguruar edhe forma alternative të mbështetjes financiare për këto shërbime me qëllim të përmirësimit të kushteve për trajtimin sa më gjithëpërfshirës të epilepsisë.
Prof. Dr. Sylen Vranica, kryetar i Shoqatës së Neurologëve të Kosovës, tha se profesionistët shëndetësor me ndihmën e Ministrisë do të arrijnë që pacientëve dhe familjareve të tyre tua lehtësojnë brengat.
Dr. Valbona Govori, kryetare e Shoqatës kundër Epilepsisë së Kosovës, tha se qëllimi kryesor i shënimit të Ditës Evropiane të Epilepsisë është ngritja e vetëdijes për tretman dhe kujdes më cilësor për 6 milionë njerëz që janë të prekur nga epilepsia në Evropë.
Kjo ditë është thirrje për aksione për fuqizimin e trajtimit të epilepsisë dhe kundër stigmatizimit të atyre që vuajnë nga kjo sëmundje, tha dr. Govori.