Kosova regjistron sot 8 të vdekur e 2.236 të infektuar me koronavirus
Prishtinë, 19 gusht - Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit tetë persona kanë vdekur dhe janë regjistruar edhe 2.236 raste me COVID-19, që është një rekord i ri sa i përket infektimeve ditore me koronavirus.
Viktimat ishin nga Komuna e Prishtinës, Vitisë, Istogut, Prizrenit, Zubin Potokut, Pejës, Dragashit dhe Mitrovicës.
Shifrat e rasteve të reja dalin pas testimit të mostrave të 11.373, që i bie rreth 20 për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë me koronavirus.
Sipas njoftimit, në grupmoshën 20-29 vjeç kanë dalë pozitivë 569 persona, ndërkaq sa i përket komunave, Prishtina ka regjistruar më së shumti raste, përkatësisht 285 të infektuar.
Në 24 orët paraprake janë shëruar edhe 138 pacientë, që çon në 106.546 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.
Prej 13 marsit 2020, deri më 19 gusht 2021, Kosova ka regjistruar 123.098 raste me COVID-19. Prej kësaj shifre, 2.303 raste kanë përfunduar me fatalitet.
Raste aktive janë 14.249.
Ndërkaq, sa i përket fushatës së vaksinimit, gjatë 24 orëve paraprake janë administruar 22.119 doza të vaksinës.
Që prej fillimit të vaksinimit në fundin e marsit, deri më tani në Kosovë janë administruar 644.212 doza të vaksinës, ku 221.026 persona janë vaksinuar plotësisht, me të dyja dozat.