Kosova regjistron 36 viktima nga koronavirusi
Prishtinë, 29 gusht - Ministria e Shëndetësisë ka raportuar sot 36 viktima nga koronavirusi e që shënon numrin më të lartë të viktimave, që prej fillimit të pandemisë në mars të vitit 2020.
Sipas MSH-së, 19 viktima ishin të gjinisë femërore, ndërkaq 17 të gjinisë mashkullore.
Viktimat ishin shtatë nga Komuna e Gjakovës, katër nga Prizreni, nga tri viktima u regjistruan në Gjilan dhe Klinë, nga dy viktima në Prishtinë, Pejë, Rahovec dhe Vushtrri, ndërkaq nga një viktimë janë regjistruar në Viti, Semetisht, Fushë Kosovë, Vrellë, Suharekë, Cerrcë, Kamenicë, Carravranë, Ferizaj, Podujevë dhe Malishevë.
Njëmbëdhjetë viktima bënin pjesë në grupmoshën 60-69 vjeç, tetë ishin të grupmoshës 80 vjeç e sipër, nëntë në atë 70-79 vjeç, tri viktima të grupmoshës 50-59 dhe atë 30-39 vjeç, një viktimë i përkiste grupmoshës 40-49 vjeç dhe një viktimë ishte e grupmoshës 20-29 vjeç.
Sipas raportit ditor në 24 orët paraprake janë regjistruar 1.630 raste të reja. Rastet e reja dalin pas testimit të 11.017 mostrave në laboratorët shtetërorë dhe privatë.
Numri më i lartë i të infektuarve i përket grupmoshës 30-39 vjeç, përkatësisht 336 persona.
Gjatë kësaj periudhe janë shëruar 816 pacientë dhe numri i përgjithshëm i të shëruarve ka arritur në 113.699.
Raste aktive me koronaviurs janë 26.575.
Sipas të dhënave, që prej 13 marsit 2020 e deri më 29 gusht 2021, Kosova ka regjistruar 142.671 raste me koronavirus dhe 2.457 viktima.
Autoritetet qeveritare e kanë cilësuar si të rëndë situatën me pandeminë në Kosovë dhe më 28 gusht, Qeveria e Kosovës njoftoi për masa të reja kundër pandemisë.
Ndërkaq, sa i përket fushatës së vaksinimit, MSH-ja njofton se brenda një dite janë administruar 11.458 doza.
Në total, Kosova ka administruar 808.078 doza, ku 269.312 persona janë vaksinuar plotësisht me të dyja dozat.