Kosova regjistron 356 raste të reja me COVID-19
Prishtinë, 11 Janar - Ministria e Shëndetësisë (MSH) a njoftuar se sot në Kosovë pas testimit të 7,258 mostrave janë regjistruar 356 raste të reja me koronavirus.
Sipas njoftimit, në 24 orët paraprake janë shëruar 53 pacientë, ndërkaq raste aktive janë 2,083.
Në fund të dhjetorit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë konfirmuar praninë e variantit Omicron të koronavirusit.
Ky variant, i cilësuar si shqetësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, është identifikuar për herë të parë në Afrikë të Jugut në muajin nëntor dhe që atëherë është përhapur në qindra vende të botës, duke u bërë dominues në disa.
Ndryshe, sa i përket vaksinimit, autoritetet shëndetësore kanë administruar edhe 4,232 doza të vaksinës kundër koronavirusit.
Që prej fillimit të fushatës së imunizimit, në Kosovë me dy doza të vaksinës janë imunizuar 791,547 persona.
Në Kosovë të drejtë vaksinimi kanë të gjithë personat mbi moshën 12-vjeçare. Ndërkaq, personat mbi 18 vjeç, që janë vaksinuar me dy doza të vaksinës para tre muajsh, mund të marrin dozën përforcuese apo dozën e tretë të vaksinës kundër sëmundjes COVID-19.