Kosova një nder vendet që po e përballon më së miri pandeminë
Prishtinë, 14 maj - Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia vizituan Klinikën Infektive, ku u pritën nga Drejtoresha e Klinikës Infektive, Dr. Sci. Lindita Ajazaj-Berisha, Prof. Sali Ahemti, Prof. Shemsedin Dreshaj, Ass. Dr. Sadije Namani dhe ekipi i mjekëve vullnetarë.
Kryemnistri Kurti deklaroi se nuk ka dyshim për punën e madhe e të mirë që kanë bërë infermierët e mjekët tanë kundër virusit Corona.
"Kur sot flasim më të relaksuar për virusin duhet të kuptojmë që kjo është e mundur edhe e sidomos falë këtij reparti", ka thënë Kurti.
Momentalisht janë 11 të shtruar në këtë Klinikë ku dy prej tyre janë në gjendje më kritike, kurse 3 të tjerë priten të lirohen.
"Numrin e stafit mjekësor në përgjithësi e kemi shumë herë më të vogël se vendet e tjera, por jemi prej vendeve që po e përballon më së miri këtë pandemi, kjo thuhet edhe nga analizat e matjet e shumë ekspertëve botëror", ka shtuar ai.
Kryeministri Kurti ka ftuar qytetarët që të respektojnë masat e ministrisë dhe t’i dëgjojnë këshillat e ekspertëve shëndetësor.
"Jemi shumë afër fitores kundër këtij virusi, mos të humbasim në fund, nga relaksimi e pakujdesia. Prandaj: qëndroni në shtëpi, qëndroni në distancë e qëndroni të pastër", ka theksuar kryeministri Kurti.