Kosova nis lehtësimin e masave të izolimit kundër koronavirusit
Prishtinë, 4 maj - Kosova ka nisur sot fazen e parë te lehtësimit të masave të izolimit kundër koronavirusit.
Sipas vendimit të ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, duke filluar nga sot fillon zgjatja e orarit të lëvizjeve të qytetarëve si dhe do te hapen bizneset, si: ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve, pjesërisht tregtia me pakicë, pjesërisht riparimi i artikujve personal dhe i orendive, si dhe zyrat e konsulencës.
Orari i qarkullimit rregullohet sipas shifrës së parafundit të numrin personal të letërnjoftimit. Me orarin e ri, qytetarët kanë të drejtë të qarkullojnë 90 minuta paradite dhe 90 minuta pasdite.
Lehtësimi i masave në Kosovë siç ka thënë më herë ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, do të zhvillohet në 3 faza.
Faza e dytë fillon nga 18 maji deri më 2 qershor dhe gjatë saj do të fillojë operimi i bizneseve, si: tregtia me pakicë, dentistët dhe fizioterapeutët, floktarët dhe sallonet e ondulimit, tregu i gjelbër, gastronomia, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban dhe qendrat e thirrjeve.
Faza e tretë, ndërkaq, hyn në fuqi më 2 qershor e deri në vendimin e radhës dhe do të lejohen transporti urban dhe ndër-urban, taksitë, gastronomia, provimet në arsimin e lartë, testi i maturës dhe arritshmërisë, hapja e kinemave, e teatrove dhe hapja selektive e aktiviteteve sportive.
Vendimit për lehtësim të masave është marrë pas rënies së numrit të rasteve të infektuar me COVID 19.