Kosova në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve me Kancer
Prishtinë, 15 shkurt - I vetmi institucion në Kosovë për trajtim të fëmijëve me kancer është reparti Hemato-Onkologjik i Klinikës Pediatrike në QKUK.
Me aktivitetet e veta ky institucion kryen një detyrë humane duke mundësuar trajtimin e fëmijëve në vend. Kjo ju mundëson këtyre fëmijëve të jenë pranë familjeve të tyre në momentet më të vështira.
Trajtimi i këtyre fëmijëve në vend kursen në masë të madhe buxhetin e familjeve të tyre dhe buxhetin e Kosovës.
Stafi i Repartit ka bashkëpunim të mirë dhe të pandërprerë me organizatat ndërkombëtare Cure 2 Children (Itali) dhe Kinderklinik, LKH - Graz (Austri) të cilët janë të kyçur në përcjellje të trajtimit të pacientëve në vend.
Edhe KFOR Italian, klinika A GEMELLI Roma, si dhe SOS Infantia del Mondo kanë ndihmuar apo ndihmojn ende fëmijëve kosovar me kancer.
Edhepse kohëve të fundit ka përparim në përkrahje nga Ministria e Shëndetësisë, ende nevojitet nivel më i lartë dhe i pandërprerë i përkrahjes institucionale.
Stafi i repartiti ka arritë sukses që të trajton në Kosovë pacientët me forma më të lehta të kancerit.
Ata janë të gatshëm të rrisin numrin e pacientëve që do të mund të trajtoheshin me përqindje edhe më të lartë të suksesit poqese do të mund të kenë përkrahje më të mirë nga shërbimet përcjellëse laboratorike, zgjerimit të listës së barnave esenciale dhe mundsimit të zgjerimit të stafit dhe trajnimeve të mëtejme të stafit ekzistues.
Në punët ditore reparti ballafaqohet edhe me pengesa banale pasi ka mungesë të materialit shpenzues specifik për diagnostifikim dhe përcjellje të trajtimit.
Prindërit dhe familjaret e fëmijëve me kancer janë organizuar me punë vullnetare në shoqatën Ndihmë Fëmijëve me Kancer (NFK) që të mund të gjejnë zgjidhje për përballim të këtyre pengesave.
Përveç aktiviteteve të përkrahjes së punës së këtij reparti, siç është blerja e pajisjes për diagnostifikim të hershëm të Leukemisë, NFK vepron edhe në ngritje të vetëdijësimit të nevojës për përparimin e kualitetit të mjekimit të fëmijëve të sëmuar.