Kosova merr pjesë në Kongresin e Shëndetit dhe Sigurisë në Punë
Prishtinë, 14 shtator - Zëvendës ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Fatmir Shurdhaj, i shoqëruar nga një grup ekspertësh të lëmisë së punës dhe sigurisë në punë, po merr pjesë në Kongresin e XIX të Shëndetit dhe Sigurisë në Punë, që po i zhvillon punimet në Stamboll të Turqisë nga 11 deri më 15 shtator 2011.
Ky kongres, këtë vit mbahet nën patronatin e Ministrisë për Punë dhe Siguri Sociale të Turqisë, Organizatës Botërore të Punës (ILO) dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Siguri Sociale (ISSA).
Pjesëmarrës në këtë kongres janë përfaqësuesit e 120 vendeve të ndryshme të botës dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare që merren me çështjen e sigurisë në punë dhe mbrojtjen e shëndetin të të punësuarve.
Gjatë simpoziumeve dhe takimeve të ndryshme që po zhvillohen, po diskutohen praktikat dhe metodat më të mira në parandalimin e sëmundjeve profesionale dhe të aksidenteve në punë.
Zv/ministri Shurdhaj, ka pasur një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të shteteve pjesëmarrëse në kongres, me udhëheqës të organizatave ndërkombëtare që merren me sigurinë në punë, ku vlen të përmendet takimi që z. Shurdhaj pati me z. Seiji Machida, drejtor i Programit për Siguri dhe Shëndet në Punë pranë ILO-s, ku u bisedua për hapat e mëtejmë që duhet të ndërmerr Kosova për anëtarësim në këtë organizatë.
Në takimin që zv/ministri Shurdhaj pati me Sekretarin Gjeneral të Asociacionit Ndërkombëtar për Siguri Sociale, z. Hans Horst Konkolewsky, u bisedua për anëtarësimin e menjëhershëm të departamenteve gjegjëse të MPMS në këtë organizatë.
Një tjetër temë që është shtjelluar gjatë këtyre takimeve të zv/ministrit Shurdhaj, ishte edhe gjetja e formave dhe e mjeteve të bashkëpunimit ndërmjet vendeve në sferën e sigurisë dhe të shëndetit të të punësuarve emigrantë në vendet përkatëse, rritja e bashkëpunimit në sferën e sigurisë në punë si dhe gjetja e modaliteteve sa më efikase në uljen e shkallës së papunësisë.
Kongresi Botëror për Siguri dhe Shëndet në Punë është një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare që i kushtohen sigurisë në punë dhe mbrojtjes së shëndetit të të punësuarve, që është edhe një parandalues i fatkeqësive në punë.
Përveç delegacioneve të nivelit të lartë shtetëror, pjesëmarrës në kongres janë edhe hulumtues e kreatorë të politikave për sigurim social, institucione punëdhënësish dhe punëmarrësish.