25 Dhjetor 2024

Kosova merr 5 milion euro ndihmë nga Bashkimi Evropian për luftimin e Covid-19

Prishtinë, 20 maj - Sot, Zëvendës Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, dorëzoi pjesën e dytë të ndihmës nga BE-ja për Kosovën prej 5 milion eurosh për luftimin e Covid-19. Ndihma u pranua nga Arben Vitia, Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, në depon qendrore të Ministrisë së Shëndetësisë në Prishtinë.

Ndihma e sotme, me vlerë mbi 1.3 milion euro, përmban 60 mijë maska për frymëmarrje FFP2, 19 mijë mburoja për fytyrën, 60 mijë shtroje njëpërdorimshe, 171 mijë palë doreza kirurgjikale, dhe 15 mijë litra dezinfektues duarsh, dhe u soll me 6 kamionë përmes Zyrës së OKB-së për Shërbimet e Projekteve (UNOPS).

“Jam i lumtur të jem sot këtu dhe të dorëzoj edhe një dërgesë të furnizimeve mjekësore si pjesë e ndihmës emergjente të BE-së për Kosovën për të luftuar pandeminë Covid-19”, tha z. Serri.

“Prioriteti vazhdon të jetë menaxhimi efektiv i çdo shpërthimi të mëtejshëm të pandemisë. Me bashkëpunimin e krejt qytetarëve, Kosova do të vazhdojë të jetë e suksesshme në parandalimin e përhapjes së Covid-19. Dëshiroj ta shfrytëzoj këtë mundësi që ta falënderoj të gjithë stafin mjekësor që janë në vijën e parë të kësaj pandemie.”

Në muajin prill, BE-ja solli në Kosovë mbi 1.4 milionë doreza të ndryshme mbrojtëse mjekësore, 4 mijë mburoja për fytyrën, 3 mijë syze mbrojtëse, 4 mijë litra dezinfektues duarsh, 10 mijë palë shtroje njëpërdorimshe, dhe 50 kuti për transportimin e mostrave laboratorike.

Në javët e ardhshme, BE-ja do të dorëzojë artikuj të tjerë, si ventilatorë, autoambulanca, shtretër spitalorë, defibrilatorë, pompa infuzioni, oksimetra pulsi, monitorë pacienti, elektrokardiografë, maska të frymëmarrjes, teste, epruveta, barna dhe artikuj të tjerë të nevojshëm.

Përveç kësaj ndihme direkte për sektorin e shëndetësisë, BE-ja po përgatit edhe rreth 63 milionë euro si masa afatmesme për ndihmë me grante socio-ekonomike, si dhe rreth 100 milionë euro kredi si ndihmë makro-ekonomike për Kosovën.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)