Kosova me pesë oda të profesionistëve shëndetësor

Prishtinë, 19 shkurt - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani, priti sot në takim përfaqësuesit e lartë të Asociacionit të Mjekëve të Gjermanisë, Ramin Parsi Parsa dhe Domen Podnar, të shoqëruar nga doktori kosovar që punon në Klinikën e Schwrtizingenit, Sali Berisha.
Në këtë takim, Ministri Rrahmani ka falënderuar përfaqësuesit e Asociacionit (Odës) Gjermane të Mjekëve për kontributin e dhënë prej tyre në procesin e ndërtimit të Odës së Mjekëve dhe Odave të tjera të profesionistëve shëndetësor në Kosovë.
Ministri Rrahmani ka theksuar se, përkundër vështirësive që e kanë përcjellë procesin, Kosova ka arritur tashmë të ketë pesë oda të profesionistëve shëndetësor: Odën e Mjekëve; Stomatologëve; Farmacistëve; Infermierëve dhe të Fizioterapeutëve, të cilat i kanë themeluar organet e tyre, kanë zhvilluar edhe aktivitete dhe janë në proces të përgatitjes për marrjen e disa prej kompetencave, të cilat do të mund ti ushtrojnë në këtë fazë.
Ai tha se Ministria është e interesuar që Odat të jenë në gjendje të fillojnë gradualisht me marrjen e disa përgjegjësive, të cilat do ta lehtësonin punën e Ministrisë, ndërkohë që do ti ndihmonin komunitetit mjekësor që ta fuqizojnë rolin e tyre brenda sistemit shëndetësor.
Ministri Rrahmani i ka njoftuar përfaqësuesit e Asociacionit të Mjekëve Gjermanë edhe me zhvillimet e tjera që kanë të bëjnë me odat në fushën e krijimit të mundësive teknike për punë më të mirë të tyre.
Nga ana e tyre, z. Ramin Parsi Parsa dhe z. Domen Podnar kanë shprehur gatishmërinë e tyre që të ndihmojnë edhe më tej fuqizimin e Odave të profesionistëve shëndetësor në Kosovë, qoftë përmes bartjes së përvojave nga oda e tyre apo edhe mënyrave të tjera.