Kosova e Shqipëria diskutojnë masat kundër etheve hemorragjike
Prishtinë, 17 qershor - Ekspertë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP) të Kosovës, të udhëhequr nga drejtori i Institutit, dr. Naser Ramadani, kanë zhvilluar sot një takim në Kukës të Shqipërisë me zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të Shqipërisë dhe më përfaqësues të Institutit të Shëndetit Publik të Tiranës.
Temë e këtij takimi ka qenë diskutimi i përvojave kosovare në ballafaqim me ethet hemorragjike si dhe ndihma që në këtë aspekt mund të jap Kosova për Shqipërinë.
Në këto takime është biseduar për ndërmarrjen e masave të përbashkëta dy shteteve në luftimin e etheve hemorragjike, duke pasur parasysh faktin se rastet me ethet hemorragjike, përveç Kosovës, sivjet kanë përfshirë edhe veriun e Shqipërisë, gjegjësisht ato janë paraqitur në Golaj të Hasit të Shqipërisë, duke shkaktuar edhe një viktimë.
Në Kosovë, ndërkaq, sivjet rastet e para të paraqitjes së etheve hemorragjike janë lajmëruar në fillim të marsit në komunën e Malishevës, ndërsa janë shënuar edhe 4 viktima prej tyre: dy nga komuna e Malishevës, një nga komuna e Gjakovës dhe një nga komuna e Rahovecit.