Kosova e Shqipëria bashkëpunojnë në fushën e Kardiokirurgjisë
Prishtinë, 22 maj - Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës Ferid Agani, priti sot rektorin e Universitetit të Mjekësisë së Tiranës prof. dr Ali Refatllari, përfaqësues i grupit të kardiokirurgëve të Republikës së Shqipërisë që po qëndrojnë në Klinikën e Kardiokirurgjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për të bashkëpunuar me stafin vendor në kryerjen e disa intervenime nga kjo fushë.
Ministri Agani tha se me fillimin e intervenimeve nga ekipi mjekësor i Shqipërisë, dëshmohet përkushtimi i zbatimit të Marrëveshjes së bashkëpunimit në mes dy shteteve Kosovë Shqipëri në fushën e shëndetësisë e në këtë rast konkret në Kardiokirurgji.
Zbatimi i marrëveshjes më forcon bindjen në synimin tim për nismën e themelimit të Kardiokirurgjisë Kombëtare, që do të ishte një hap i rëndësishme në ngritjen e kapaciteteve dhe cilësisë në shërbimin e Kardiokirurgjisë, tha Agani.
Rektori Refatllari tha se ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit që do të kemi në sektorin e shëndetësisë që si rezultat do të ketë shkëmbimin e përvojave në mes dy shteteve tona.
Mjekët nga Shqipëria po qëndrojnë në Klinikën e Kardiokirurgjisë të QKUK-së për të bashkëpunuar me stafin vendor dhe kanë filluar kryerjen e disa intervenime në fushën e kardiokirurgjisë, në kuadër të zotimit për ndihmë nga ana e MSH të Shqipërisë për shëndetësinë kosovare, sipas Marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar ditë më parë në Prishtinë midis ministrave Ferid Agani e Ilir Beqaj.