23 Dhjetor 2024

Kosova e para me strategji për rezistencën antimikrobike

Prishtinë, 21 nëntor - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, tha sot se Kosova është vendi i parë në rajon që duke iu përgjigjur kërkesës së Qendrës Evropiane për Parandalimin e Sëmundjeve (ECPD) ka hartuar Strategjinë dhe Planin e Veprimit  për rezistencën antimikrobike.

“Ne e kemi nxjerrë këtë dokument politik, i cili në detaje parasheh masat dhe veprimet që çojnë kah përdorimi sa më racional i antibiotikëve dhe kah pengimi i infeksioneve infra-spitalore, në veçanti i baktereve që janë super rezistence dhe që krijojnë mekanizma të tillë enzimatik që i zbërthejnë edhe antibiotikët më të mirë me të cilët sot disponon mjekësia bashkëkohore”, tha ai.

Ministri Agani tha kështu në një konferencë për media, e cila u mbajt në Ministrinë e Shëndetësisë me rastin e mbylljes së Javës Evropiane për Vetëdijesimin për përdorimin e antibiotikëve, e cila në Kosovë shënohet për të tretin vit radhazi.

Ministri Agani tha se çështje e përdorimit të antibiotikëve ngjall vëmendjen e të gjitha autoriteteve shëndetësore ne Evropë dhe me gjerë, e natyrisht, theksoi ai,  se edhe në Kosovë jemi të përkushtuar që të sigurojmë kushte dhe rrethana që do të mundësojnë një përdorim sa më racional të antibiotikëve me qëllim të vetëm që të zvogëlojmë sa më shumë që është e mundur rezistencën ndaj antibiotikeve dhe ta ngremë cilësinë e shërbimeve tek qytetarët.

“Përdorimi jo racional i antibiotikëve është një prej problemeve bashkëkohore në shëndetësinë evropiane dhe botërore dhe si rezultat i kësaj në Evropë, por edhe në vendin tonë janë paraqitur soje rezistente të baktereve edhe ndaj antibiotikëve të gjeneratës së fundit që paraqet një shenjë alarmuese edhe për mjekët në të gjitha ato institucione shëndetësore ku trajtohen infeksionet më të rënda”, tha Ministri Agani.

Ai theksoi me tutje se për këtë arsye, MSH i ka dhënë kësaj çështje një rëndësi të veçantë dhe Kosova është vendi i parë në rajon që ka plotësuar kërkesën e ECDC-së për nxjerrjen e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për rezistencën antimikrobike.

Në pajtim me këtë Strategji dhe Plan veprimi, shtoi Ministri,  është nxjerrë edhe UA për parandalimin dhe trajtimin e infeksioneve infra-spitalore, udhëzim ky që është në fuqi në muajin e fundit dhe ka filluar të zbatohet në nivel të institucioneve të vendit.

Dr. Lul Raka, kryetar i Bordit Shtetëror për rezistencën antimikrobiale dhe parandalimin e infeksioneve intra-spitalore tha se Javës Evropiane të Vetëdijesimit për antibiotikë këtë vit i janë bashkuar edhe SHBA dhe Kanada, ndërsa tema e

përzgjedhur sivjet është ngritja e vetëdijesimit e popullatës dhe punonjësve shëndetësor në për rezistencën ndal linjës së fundit të antibiotikëve.

“Rezistenca në antibiotikë është sfidë globale e shëndetit publik, është problem i shekullit XXI për arsye se sot secila baterie po bëhet më rezistente në terapi.

Kjo ka bërë që në pesë vjetët e fundit në nivel global, rezistenca të dyfishohet . Impakti i rezistencës është i shumëfishtë, sepse mikrobet rezistence kanë shkallë të lartë të sëmundshmërisë, të vdekshmërisë dhe kanë kosto të lartë që duhet paguar.

Vetëm brenda vitit, në vendet e BE-së vdesin afër 25.000 njerëz nga këto infeksione, ndërsa kostoja vjetore është afër 15. miliardë dollarë”, tha Raka, duke theksuar se shkaktar është shpërdorimi apo përdorimi joadekuat i antibiotikëve dhe kjo ndodh në Kujdesin Parësor Shëndetësor ku përshkruhen 70-80 për qind e antibiotikëve.

Ai tha se me miratimin e Strategjisë nga MSh është kryer detyrën e parë e shtëpisë, ndërkohë që  është formuar Grupi ndër-sektorial për zbatimin e strategjisë dhe në disa fusha veç ka filluar zbatimi, pastaj UA për parandalimin e infeksioneve intra-spitalore, janë mbajtur pastaj ligjërata e debate në të gjitha qendrat e Mjekësisë Familjare lidhur me përdorimin racional të antibiotikëve bashkë me kompaninë “Trepharm”, është në proces nxjerrja e udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike lidhur me përdorimin e antibiotikëve..., ndërkohë që u kërkua ndërprerja e vet-përshkrimit të antibiotikëve nga qytetarët dhe ndërprerja e dhënies në mënyrë të kundërligjshme nga farmacistët, pa përshkrimin e mjekut e këtyre produkteve.

Në këtë konferencë, u tha se element kryesor për zbatim të Strategjisë dhe planit të veprimit me suskes është bashkërendimi dhe koordinimi i aktiviteteve ku rol të përbashkët në ngritjen e vetëdijes për përdorimin racional të antibiotikëve duhet të luajnë Ministria,  QKUK dhe mjekët e tre niveleve të Kujdesit shëndetësor (tretësor, dytësor e parësor), në veçanti Kujdesi Parësor, komuniteti i farmacistëve, bota akademike, familja dhe mediat. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)