15 Maj 2024

Kosova e Kroacia nënshkruan bashkëpunimin në shëndetësi

Zagreb, 27 tetor - Me qëllim të avancimit të marrëdhënieve të tyre miqësore dhe zhvillimin e bashkëpunimit të suksesshëm reciprok në fushën e mjekësisë dhe shëndetësisë Ministrat e Shëndetësisë të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Kroacisë, Imet Rrahmani dhe Siniša Varga, nënshkruan sot në Zagreb Memorandum të Bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë dhe të mjekësisë.

Përmes këtij Memorandumi, palët do të inkurajojnë bashkëpunimin reciprok në fushën e shëndetësisë mbi bazën e barazisë, reciprocitetit dhe përfitimit të ndërsjellë dhe në kuadër të kornizës së legjislacioneve kombëtare të dy vendeve. 

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se nënshkrimi i Memorandumit të bashkëpunimit është vazhdimësi e bashkëpunimit të mirë, rezultat edhe i takimit kohë më parë në Prishtinë dhe hap që shënon forcimin e bashkëpunimit midis Kosovës e Kroacisë në fushën e shëndetësisë.

\"Në rrugën tonë për të forcuar sistemin shëndetësor, ne duhet të bashkëpunojmë dhe të marrim përvojat e vendeve të rajonit, ndërsa Kroacia është një partner shumë i rëndësishëm\", tha Ministri Rrahmani.

Ministri i Shëndetësisë i Kroacisë, Siniša Varga, tha se nënshkrimi i Memorandumit krijon një hapësirë të mirë për të forcuar bashkëpunimin dhe shpreh vullnetin për të mundësuar zhvillimin e planeve nacionale për avansimin e shëndetësisë së dy vendeve.

Ai tha se në rrugën e saj për në BE, Kosova do të mbështetet për zhvillimin e sistemit të saj shëndetësor në dobi të profesionistëve dhe qytetarëve të vendit të saj.

Marrëveshja e nënshkruar sot në Zagreb, parasheh bashkëpunimin midis dy vendeve në fushën e zhvillimit të programeve kombëtare të shëndetit publik bazuar në parandalimin e integruar dhe kontroll, duke përfshirë monitorimin dhe parandalimin e lëndimeve dhe luftimi kundër dopingut në sport, në përputhje me dispozitat e Kodit Botëror Anti-doping; bashkëpunimi në fushën e mbikëqyrjes së sëmundjeve të transmetueshme dhe jo të transmetueshme kronike, që përfshin bashkëpunimin në fushën e programeve kombëtare të vaksinimit, promovimit shëndetësor, mbajtjen e regjistrave të shëndetit publik, si dhe bashkëpunimi në fushën e programeve kombëtare për ekzaminimin e hershëm të kancerit dhe zhvillimin e modelit social mjekësor mbi paaftësinë, dhe aplikimin sipas Klasifikimit Ndërkombëtar të Funksionimit, Paaftësisë dhe Shëndetit/ ICF /; shkëmbimi i përvojave dhe bashkëpunimit për zhvillimin e shërbimeve në turizmin shëndetësor.

Gjithashtu, Memorandumi i bashkëpunimit parasheh edhe shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimit në fushën e transplantimit në mjekësi; zhvillimi i programeve për trajtimin e shtetasve të Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë, në kuadër të kornizës së programit të sigurimit shëndetësor të Republikës së Kosovës; shkëmbimi i ekspertëve për të ofruar shërbime këshillimore dhe trajtimin e pacientëve; mbështetja e pjesshme në zbatimin e programit trajnues specialistik për punonjësit – qytetarët e kujdesit shëndetësor të Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë në kuadër të fondeve të miratuara të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë; bashkëpunimi në fushën e trajnimeve shkencore dhe profesionale të punonjësve të kujdesit shëndetësor; pjesëmarrja e përfaqësuesve dhe ekspertëve në tubime dhe projekte shkencore; shkëmbimi i njohurive dhe përvojave në mes të universiteteve të mjekësisë, odave mjekësore dhe institucioneve të kujdesit shëndetësor; ofrimin e asistencës me qëllim të përmbushjes së kushteve për procesin e Integrimit Evropian si dhe çfarëdo forme tjetër e bashkëpunimit për të cilën palët pajtohen mes veti.

Me qëllim të zbatimit të këtij Memorandumi, palët do të themelojnë një grup punues; që do të takohet sipas nevojës kur të paraqitet nevoja reciproke për takim, ndërsa qëllimi i Grupit punues do të jetë, gjetja e mënyrave dhe burimeve për promovimin dhe fuqizimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të projekteve bilaterale të propozuara apo të miratuara nga palët.

Bashkëpunimi i paraparë me këtë Memorandum duhet të implementohet në përputhje me fondet që janë në dispozicion nga buxhetet përkatëse shtetërore të secilës palë, ndërsa të gjitha shkëmbimet dhe format e tjera të bashkëpunimit në kuadër të kornizës së këtij Memorandumi, do të realizohen në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi të dy vendeve.

Memorandumi i nënshkruar sot vlen për periudhë kohore prej pesë (5) viteve dhe hyn në fuqi në datën e nënshkrimit të saj.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)