Kosova dhe Shqipëria avancojnë bashkëpunimin në shëndetësi
Tiranë, 11 korrik - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, dr. Ferid Agani, realizoi sot në Tiranë takim pune me Ministrin e Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë, dr. Petrit Vasili.
Gjatë takimit që paraqet pjesë të komunikimit të rregullt ndërmjet të dy ministrave u shqyrtuan temat me rëndësi për të dy ministritë dhe mundësit e bashkëpunimit të ndërsjellë përkitazi me sfidat aktuale me të cilat po ballafaqohen të dy sistemet shëndetësore.
Gjatë këtij takimi theks i veçantë ju kushtua bashkërenditjes së aktiviteteve rreth anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë që sipas Ministrit Agani paraqet synim strategjik të politikës kosovare me rëndësi të veçantë për përparimin e mëtutjeshëm të shërbimeve shëndetësore në vend.
Ministri Vasili vlerësoi lartë iniciativën dhe premtoi mbështetje të plotë të Qeverisë së Shqipërisë në këtë drejtim. Gjatë takimit po ashtu u iniciuan edhe projekte të bashkëpunimit në lëmin e sektorit farmaceutik për çka u arrit pajtimi për fillimin e punës së grupeve teknike.
Në vazhdim të vizitës së tij Ministri Agani, takoi edhe Ministrin e Arsimit të Republikës së Shqipërisë dr. Myqerem Tafaj, me të cilin bisedoj për procesin e edukimit specialistik si dhe përvojat e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shëndetësore dhe arsimore në institucionet e nivelit tretësor të kujdesit shëndetësore në Republikën e Shqipërisë.
Ministri Agani falënderoj Ministrin Tafaj për mbështetjen që Qeveria shqiptare i ka dhënë procesit të specializimit dhe aftësimit shkencor pasdiplomik të kuadrove shëndetësore nga Republika e Kosovës.
Gjatë takimit po ashtu u shqyrtua mundësia e realizimit të projekteve të përbashkëta shkencore në lëmin e shëndetit mendor në bashkëpunim me universitete të mirënjohura nga SHBA-të.