26 Dhjetor 2024

Koronavirusi i ri nuk ka gjasa të zhduket gjatë verës

Bruksel, 25 mars - Koronavirusi i ri nuk ka gjasa të zhduket gjatë verës, njoftoi të mërkurën agjencia e Bashkimit Europian për kontrollin e sëmundjeve, në një paralajmërim të ashpër se epidemia mund të vazhdojë kur temperaturat të rriten nëse nuk zbatohen masa për ta penguar atë.

Njoftimi lë pak hapësirë për shpresë se SARS-CoV-2, emri i virusit të ri, mund të sillet si katër koronaviruset e tjerë që janë endemikë në popullatat njerëzore dhe zakonisht nuk zbulohen në muajt e verës.

Numërohen 438,717 raste të konfirmuara me njerëz të infektuar nga koronavirus në të gjithë botën, me paralajmërimet e ekspertëve se në mungesë të tamponeve, testeve të gjurmimit të virusit për të gjithë, ka shumë gjasa që shifra reale e të prekurve të jetë deri në dhjetë herë më e lartë, mbase edhe më shumë.

Dimë që ky virus e dëmton njeriun në shkallë të ndryshme, nga kalimi i sëmundjes pa simptoma ose me simptoma të lehta, deri në vdekje.

Deri tani janë 19,658 njerëz të vdekur në të gjithë botën, fillimisht të raportuara në moshën mbi 70-vjeçare apo njerëz me sëmundje të tjera para prekjes nga Covid-19, por tani edhe raste të rënda nga njerëz të rinj plotësisht të shëndetshëm, të paktën sipas familjarëve të tyre.

Tashmë dimë që virusi mund të luftohet dhe shumë njerëz mund ta kapërcejnë sëmundjen, me 111,926 raste të konfirmuara të shëruar në të gjithë botën.

Deri tani Europa mbetet epiqendra e epidemisë në botë, pasi Kina, vendi nga ku u shfaq dhe u përhap virusi, e ka vënë situatën nën kontroll me një numër shumë më të kufizuar vdekjesh sesa po shënohen tashmë në të gjithë Europën.

Situata është përshkallëzuar edhe në SHBA, me një shtim të vrullshëm të numrit të të infektuarve, me paralajmërimet nga OBSH, se ky vend do të bëhet epiqendra e re e virusit në botë.

Sipas të dhënave të fundit, në Kinë janë 81,128 raste të infektuarish gjithsej me 3,281 viktima. Vendi i dytë më i prekur është Italia, me 69,176 raste të infektuarish dhe me 6,820 viktima.

Më pas renditet SHBA me 55,081 viktima dhe 785 të vdekur. E katërta në renditje botërore dhe e dyta në Europë është Spanja, në gjendje të rënduar, me 47,610 të prekur dhe 3,434 viktima.

Për numër të prekurish më pas renditet Gjermania, me 35,353 raste dhe 181 të vdekur, me përqindjen më të ulët në të vdekjeve për numër prekjesh në botë. Edhe në Iran epidemia ka goditur fort, janë 2,077 të vdekur mes 27,017 të infektuarve. Ndërsa në Francë, e cila po ashtu është në gjendje të rëndë nga koronavirusi, janë 22,304 të prekur dhe 1,100 të vdekur.

Shifrat përditësohen në norma ditore nga vendet përkatëse, me pandeminë që po godet gjithnjë e më fort, dhe me shumë qeveri në mbarë botën që kanë paralajmëruar se më e keqja nuk ka ardhur akoma.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)