Koronavirusi erdhi nga një laborator në Wuhan
Washington, 27 mars - Ish-drejtori i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA, Robert Redfield, tha se beson që koronavirusi filloi nga një "rrjedhje" nga një laborator në qytetin Wuhan në Kinë.
"Jam i këndvështrimit dhe ende mendoj se etiologjia më e mundshme e kësaj patologjie në Wuhan ishte nga një laborator, kishte një rrjedhe", tha Redfield për CNN.
"Njerëzit e tjerë nuk e besojnë Këtë. Kjo është në rregull. Shkenca përfundimisht do ta kuptojë", shtoi ai.
Redfield ishte duke iu referuar Institutit të Virologjisë në Wuhan, laboratori i parë i sigurisë së nivelit të 4-të në Kinë.
Duke vënë në dukje se "nuk është e pazakontë që patogjenët e frymëmarrjes me të cilët punohet në laborator, të infektojnë të punësuarit e laboratorit", ai u shpreh: "Kjo nuk nënkupton ndonjë qëllimshmëri. Është mendimi im, apo jo? Por unë jam një virolog. Kam kaluar jetën time në virologji".
Eksperti tha se nuk beson që virusi erdhi nga një lakuriq i natës tek njeriu, i cili "u bë një nga viruset më infektues që ne njohim në historinë e njerëzimit për transmetimin nga njeriu në njeri".
Redfield gjithashtu përmendi që virusi po përhapej që në shtator ose tetor të vitit 2019.
Në fillim të shkurtit, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se ishte "jashtëzakonisht e pamundur" që virusi të përhapej nga një rrjedhje e laboratorit në Wuhan.
Megjithatë, Peter Ben Embarek, udhëheqës i ekipit të OBSH-së që zhvilloi hetimin në Wuhan, tha se duhet më shumë punë për të identifikuar burimin.