Konfirmohen dy rastet e para me koronavirus në Kosovë
Me këtë rast, Kryeministri Kurti u ka bërë apel qytetarëve që mos bëjnë panik, por me kujdes të shtuar t’iu përmbahen udhëzimeve për parandalimin e Coronavirusit Covid-19.
“Ne i ftojmë të gjithë qytetarët për qetësi, që të mos frikësohen e të mos bëjnë panik dhe të mos paraqiten në Klinikën Infektive nëse nuk kanë shenja të sëmundjes”, tha kryeministri Kurti.
Ministria e Shëndetësisë e ka vënë në dispozicion linjën telefonike për informim e këshillim në të cilën mund të thërrasin të gjithë ata tek të cilët mund të shfaqen simptoma të dyshimta për sëmundje akute të frymëmarrjes (ethe, kollë, vështirësi në frymëmarrje) si dhe ata që kanë historik të udhëtimit në ndonjë vend / zonë ose territor që raporton sëmundjen me COVID-19 gjatë 14 ditëve para fillimit të simptomave; ose që kanë qenë në kontakt me një rast të konfirmuar ose të mundshëm të COVID-19 në 14 ditët e fundit para fillimit të simptomave.
Të gjithë ata mund të thërrasin në numrat e informacionit që i kemi vënë në dispozicion dhe nuk kanë nevojë të shkojnë direkt nëpër klinika: Numri është 038 200 80 800. Pesë linja të tilla janë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.
Ftohen të gjithë qytetarët që pa panik, por me kujdes të shtuar t’iu përmbahen udhëzimeve dhe masave parandaluese të rekomanduara nga institucionet shëndetësore, si dhe të gjitha masave të shpallura nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Me kujdes të shtuar, të gjithë bashkë, do t’ia dalim edhe në këtë betejë!
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se pacientët e konfirmuar pozitiv gjenden të shtrirë në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe se gjendja e tyre shëndetësore rezulton stabile.
Njëri nga të konfirmuarit pozitiv në Covid-19 është shtetase italiane e moshës 20 vjeçare, kurse pacienti i dytë, është kosovar i moshës 77 vjeçare.
IKSHPK me institucionet e tjera kanë filluar menjëherë me gjurmimin e të gjitha kontakteve të dy pacientëve dhe janë marrë të gjitha masat e izolimit dhe vetkarantimit të personave më të cilët kanë qenë në kontakt të konfirmuarit pozitiv në Covid-19.
“Në këtë moment që po flasim, është mbledhur edhe Komiteti për Koordinimin dhe Vlerësimin e Situatës me Koronavirus Covid-19 për të diskutuar dhe rekomanduar masat përkatëse konform situatës së re të parapara edhe me Planin e Veprimit”, tha ministri Vitia.
Ai tha, se për të gjitha rekomandimet dhe vendimet rreth situatës publiku dhe qytetarët do të njoftohen në kohë reale.