Komuna e Prishtinës premton qendrën për personat me sindrom Down
Prishtinë, 20 qershor - Komuna e Prishtinës nënshkroi sot Memorandum Mirëkuptimi me Shoqatën Down Syndrome Kosovë dhe Shoqatën e Autizmit.
Në një komunikatë për medie, bëhet e ditur se me këtë marrëveshje, Komuna e Prishtinës do të angazhohet për caktimin e lokacionit për ndërtimin e Qendrës për trajtimin e personave me sindormën Down dhe Autizëm; sigurimin e një pjese të mjeteve financiare për ndërtimin e Qendrës, e cila do të caktohet në Kontratën e bashkëfinancimit.
Po ashtu, Komuna e Prishtinës do të angazhohet për ndërtimin e Qendrës me parimin çelsat në dorë në bazë të projektit për të cilin duhet të merret edhe pëlqimi i Shoqatave.
Nga ana tjetër, shoqatat do të angazhohen që mjetet financiare të grumbulluara nga Shoqatat në emër të ndihmave për ndërtimin e Qendrës, të derdhen në llogari të Komunës së Prishtinës me destinim ekskluziv për ndërtimin e Qendrës së lartëcekur.
\"Të gjitha marrëveshjet eventuale në mes të Shoqatave dhe Kompanive e të cilat janë në funksion të kryerjes së punëve në dobi të Qendrës do ti prezentohen Komunës. Shërbimet që ju kanë ofruar shoqatave për ndërtimin e qendrës do të jenë në dispozicion për ndërtimin e Qendrës, shërbime këto që do të ndikojnë në uljen e kostos së ndërtimit\", thuhet në komunikatën e Komunës së Prishtinës.