Komuna e Mitrovicës ndan 170 mijë euro për parandalimin e epidemisë COVID-19
Mitrovicë, 27 mars - Me kërkesë të kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, drejtuar kryesuesit të Kuvendit Komunal, Safet Kamberi, është mbajtur mbledhja urgjente e Kuvendit Komunal, në sallën e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, duke respektuar kështu distancat dhe rekomandimet nga IKSHPK, me ç’ rast janë shqyrtuar dy pika të rendit të ditës; Propozim/Vendim për rialokimin/ transferin e mjeteve financiare të komunës për parandalimin e epidemisë COVID-19 dhe Propozim/vendim për bartjen e të hyrave vetanake të mbetura nga viti 2019 në buxhetin e vitit 2020.
Në fjalën e tij para anëtarëve të Kuvendit Komunal, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, njoftoj për punën dhe angazhimin e gjithë anëtarëve të shtabit emergjent në Komunën e Mitrovicës, të cilët janë në shërbim të qytetarëve tanë, duke kontribuar në parandalimin e këtij virusi, njëkohësisht bën apel tek të gjithë qytetarët të vazhdojnë qëndrimin në shtëpitë e tyre, pasi që duke vepruar kështu i ndihmoni vetes dhe familjes tuaj, si dhe institucioneve përgjegjëse.
“Falënderoj të gjithë qytetarët për respektimin e rekomandimeve nga IKSHPK-ja dhe vendimin e Qeverisë për orarin e lëvizjes së lirë, por edhe Policinë e Kosovës dhe mjekët të cilët janë heronj tanë në luftimin e këtij virusi."
"Gjithashtu në këtë situatë u garantoj të gjithë qytetarëve mitrovicas se asnjë artikull ushqimor nuk do të mungoj në marketet e Mitrovicës, dhe se komuna është e gatshme tu dalë në ndihmë 24 orë në ditë, ku do të sigurojmë 1000 mijë pako me 14 artikuj të ndryshëm ushqimor, dhe rreth 25 mijë kg miell për t’iu ndihmuar sado pak familjeve në nevojë sociale”, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.
Me këtë rast lidhur me pikën për Propozim/Vendimin për rialokimin/ transferin e mjeteve financiare të komunës për parandalimin e epidemisë COVID-19, drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, tha se mjetet financiare në vlerë prej 170 mijë euro janë siguruar nga kodi i investimeve, duke kaluar në kodin për emergjenca, si nevojë për tu përballur me pandeminë e COVID-19.
Asamblistët komunal unanimisht aprovuan pikat e rendit të ditës, duke e përgëzuar dhe përkrahur iniciativën e kryetarit Bahtiri, për tu dalë në ndihmë qytetarëve të Mitrovicës në këtë situatë të krijuar nga virusi COVID-19.