Komuna e Mitrovicës mbështetë personat me aftësi të kufizuar
Prishtinë, 20 janar - Mbështetja e Komunës së Mitrovicës për Handikosin, gjegjësisht për personat me aftësi të kufizuara dhe Shoqatën e të shurdhëve do të rritet gradualisht në mënyrë të ndjeshme. Këtë e premtoi koordinatori i Njësisë për drejtat e njeriut, Fitim Rama dhe zyrtarja për Barazi gjinore, Sanije Behrami, gjatë një vizite që kanë zhvilluar në këto dy shoqata.
Rama ka thënë se viteve të fundit Komuna e Mitrovicës, ka realizuar projekte të ndryshme që kanë të bëjnë me personat me aftësi të kufizuara. Ai ka përmendur projektin për pjerrinat në rrugët e qytetit, mandej sigurimin e një zyre, parkingut të nevojshëm etj.
Gjithashtu ai ka numëruar edhe ndihmën e dhënë nga Komuna për regjistrimin e automjetit për transportimin e fëmijëve, të cilët vazhdojnë fizioterapinë dhe psikoterapinë. Një kontribut tjetër sa i përket sigurimit të kushteve për Handikosin e ka dhënë edhe Drejtoria për Mirëqenie Sociale, duke siguruar karburantet për automjetin e shoqatës.
Në anën tjetër, mbështetjen e komunës e kanë vlerësuar si tejet të rëndësishme edhe drejtuesit e këtyre shoqatave. Myrvete Hasani, menaxhere e Handikosit, tha se kryetari i komunës dhe gjithë drejtorët komunalë janë duke ofruar përkrahje të madhe për krijimin e kushteve më të mira për ta.
Ndërsa si probleme ka përmendur mungesën e një hapësire të nevojshme për aktivitetet e të rriturve. Sa i përket objektivave të Handikosit për këtë vit, ajo përmendi lobimin dhe avokimin për personat me aftësi te kufizuara, mandej aftësimin profesional etj.
Zyrtarët komunalë janë takuar edhe me kryetarin e Shoqatës së të shurdhëve, Burim Preteni dhe intepreten Zejnepe Sylejmani, të cilët janë ankuar për kushte të vështira të punës. Ata kërkuan tu ndihmohet sa i përket punësimit të një sekretari, mandej për pagesën e energjisë elektrike, për rinovimin e zyrave etj.