Komiteti etik-profesional fillon shqyrtimin e lëndës së kirurgjisë vaskulare
Prishtinë, 24 dhjetor - Komiteti etik-profesional i QKUK-së, ka filluar shqyrtimin e lëndës së kirurgjisë vaskulare, me kërkesë të dr. Sci. Nexhmedin Shala, ndihmësdrejtor për çështje mjekësore në QKUK.
Dr. Hysen Hyseni, kryetar i komitetit etik-profesional, fillimisht njoftoi anëtarët e komiteti se ka marrë deklaratat e UD. Drejtorit të Klinikës së Kirurgjisë, kirurgëve vaskularë dhe të vetë dr. Elmi Ollurit, përderisa pritet edhe deklarata e familjarëve të pacientit.
Ai para anëtarëve të komitetit etik-profesional, shpjegoi se si kishte rrjedhur rasti përderisa kërkoi që anëtarët e komitetit ta shqyrtojnë me seriozitet të shtuar rastin dhe të dalin me qëndrim rreth tij. Anëtarët e komitetit etik-profesional, përmes pyetjeve të tyre kërkuan informata shtesë në mënyrë që lënda të kompletohet.
Komiteti vendosi që të merret edhe deklarata e familjarëve të pacientit, përderisa të gjithë anëtarëve të komitetit do tu shpërndahet dosja e plotë e rastit, në mënyrë që në mbledhjet e radhës të dilet me qëndrim konkret rreth rastit.
Mbledhja e radhës e komitetit etik-profesional pritet të mbahet në ditët vijuese, pas kompletimit të plotë të lëndës.