KOMF publikon Udhëzuesin për Ndërhyrjen në Fëmijërinë e Hershme
Në panel morën pjesë: Donjeta Kelmendi, Drejtoreshë Ekzekutive e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF, Labëri Luzha – Udhëheqëse e Divizionit për Edukim të Hershëm dhe Parashkollor, MASHT, Hana Zylfiu – Haziri, Qendra për Arsim e Kosovës – KEC.
Labëri Luzha nga MASHT, u shpreh se mirëpret Udhëzuesin për Ndërhyje në Fëmijërinë e Hershme, sidomos duke qenë se u publikua pikërisht në kohën kur MASHT është duke hartuar Ligjin për Fëmijërinë e Hershme.
Në anën tjetër, Hana Zylfiu - Haziri nga KEC, prezantoi raportin e nevojave për fëmijërinë e hershme, i hartuar në kuadër të KOMF, me qëllim ngritjen e mëtejshme të kapaciteteve në fushën e fëmijërisë së hershme në Kosovë.
Donjeta Kelmendi nga KOMF, prezantoi udhëzuesin e punuar nga ekspertë ndërkombëtar të organizatës nga Bullgaria “Karin Dom” me praktika e modele të shteteve të tjera si dhe udhëzime se çfarë veprimesh duhet të ndërmarrë Kosova për të zhvilluar më tej ndërhyrjen në fëmijërinë e hershme.
Në këtë konferencë u theksua që është me rëndësi jetike rregullimi ligjor i shërbimeve të integruara për Ndërhyrjen në Fëmijërinë e Hershme.
Në mënyrë që të kemi shërbime të integruara, është shumë i rëndësishëm hartimi dhe miratimi i Ligjit për Ndërhyrjen në Fëmijërinë e Hershme dhe/ose përfshirja e shërbimeve në dokumentet normative të ministrisë udhëheqëse, si dhe ministrive që punojnë në partneritet. Poashtu u rekomandua që Qeveria e Republikës së Kosovës bashkë me komunat duhet të financojnë shërbimet për Ndërhyrjen në Fëmijërinë e Hershme.