KMDLNj këmbëngul që testimet për koronavirus të bëhen pa pagesë
Prishtinë, 26 tetor - Pas një takimi midis ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe Drejtorit Ekzekutiv të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur, Luan Shllaku me ç’rast KFOS e informoi ministrin Zemaj se ka siguruar 100.000 teste për COVID – 19, ministri i Shëndetësisë deklaroi se janë krijuar kushtet që të trefishohet numri i testimeve. Para kësaj, numri i testimeve ishte midis 400 – 500 testime brenda 24 orëve.
Pastaj ky numër është rritur deri në afërsisht 1000 testime që është i ulët krahasuar me vendet e rajonit.
Duket se ma pajisjet aktuale dhe me këtë potencial kuadrosh , Kosova nuk ka kapacitet të bëjë më shumë se 1000 testime brenda 24 orëve.
Sipas informatave që ka KMDLNj, IKSHPK është në pritje të pajisjeve teknike nga Banka Botërore që pritet të jenë të disponueshme afërsisht brenda një muaji dhe pastaj do të kemi rritje të ndjeshme të testimeve.
Realisht, pas kësaj testet e siguruara nga KFOS do të shpërndaheshin në 6 qendra duke e rritur numrin e testimeve deri në 3000 testime brenda 24 orëve.
Vetëm pas kësaj do ta kemi një pasqyrë më të qartë dhe do të ketë mundësi të ndërmerren masa efikase parandaluese për zvogëlim të zgjerimit të pandemisë.
Realizimin e kësaj dinamike të paraparë mund ta ngadalësojë ose pengojë vetëm mungesa e kuadrit të profesionalizuar që do të bëjë testimet aq më parë që pajisjet e reja janë më të përparuara dhe se duhet trajnim shtesë për stafin shëndetësor që do të bëjë testimet.
Në këtë kontekst KMDLNj rekomandon IKSHPK që të bëjë trajnimet e duhura në mënyrë që të sigurojë staf të mjaftueshëm dhe të domosdoshëm për testime , si për kah numri ashtu edhe nga profesionalizmi.
Do të ishte shumë e dëmshme nëse sigurohen kushtet teknike për rritje të testimeve sipas dinamikës së paraparë kurse ky proces ngecë për shkak të faktorit njeri!
Zyrës së KMDLNj-së në Prishtinë edhe më herët i janë drejtuar qytetarë që deklarojnë se janë diskriminuar gjatë caktimit të afateve për testim.
Vërejtjet dhe ankesat e qytetarëve kanë të bëjnë kryesisht me kategoritë e cenueshme e që do të duhej të kishin prioritet absolut si; të moshuarit, të sëmurët me sëmundje të rënda kronike (nga zemra, kanceri, diabeti etj.), pjesëtarë të komunitetit Romë, Egjiptas dhe Ashkalinj, të privuar nga liria apo të liruar në kohë pandemie etj.
Edhe sot e kësaj dite ndodhë që personat e sëmurë nga sëmundje të rënda kur kërkojnë t’iu bëhet testi COVID -19, ndonëse kanë familjarë me COVID pozitiv apo kanë qenë në kontakt me persona të infektuar, termini për testim iu caktohet në një afat kohorë 14-20 ditë që nënkupton se duhet të presin dy javë deri sa të testohen e që, përveç se është jonjerëzore nga aspekti etik, me këtë veprim apo mosveprim seriozisht iu rrezikohet shëndeti i tyre.
Edhe më parë KMDLNj ka deklaruar se mbrojtja e shëndetit është njëra ndër të drejtat elementare të njeriut dhe, në këtë kontekst shteti ka detyrim të bëjë testime falas për të gjithë qytetarët që në rrethana të pandemisë janë varfëruar edhe më shumë, sidomos për grupet e cenueshme; të moshuarit, pensionistët, të sëmurët me sëmundje të rënda kronike etj.
Në raportet e IKSHPK për numrin e të infektuarve dhe atyre që e humbin jetën thuhet se brenda 24 orëve janë bërë, ta zëmë 1058 testime në institucionet publike dhe laboratore private të licencuara, pa treguar saktësisht se sa testime janë bërë në institucionet publike dhe sa në ato private.
Nëse kjo nuk sqarohet dhe nëse vazhdohet me raportime të përgjithësuara atëherë lindin dyshime të bazuara për korrupsion sepse po mungon transparenca.
KMDLNj edhe më tutje këmbëngul që testimet të bëhen pa pagesë sidomos për grupet e margjinalizuara aq më parë se për këtë qëllim janë ndarë mjete të konsiderueshme nga Buxheti i Kosovës dhe se janë dhënë shumë donacione, si në pajisje ashtu edhe në para.
Grupet e cenueshme duhet të trajtohen me prioritet absolut, ndryshe shteti do të merrë përgjegjësi për shëndetin dhe jetën e tyre.
KMDLNj kërkon që të bëhet testimi i të gjithë personave të privuar nga liria dhe stafit në mënyrë që ata të realizojnë të drejtat e garantuara me LESP- e që tani po iu mohohen për shkak të rritjes së numrit të rasteve.
KMDLNj vlerëson se me rritjen e numrit të testimeve rriten edhe mundësitë për marrjen efikase parandaluese e që deri më tani kjo mundësi ka qenë e kufizuar !