23 Dhjetor 2024

Klinikat private biznese fitimprurëse

Prishtinë, 17 prill - Klinikat shëndetësore private në vend, kohët e fundit janë shndërruar në biznese tejet fitimprurëse, pasi që në to mjekët po arrijnë të sigurojnë paga super të larta.

Për dallim nga sektori privat, mjekët shohin pak leverdi nga sektori publik.Aktualisht paga mujore e drejtorit të Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare (QKU), Basri Lenjani, është rreth 500 euro në muaj.

Ndërkaq, këtë shumë të mjeteve pa asnjë problem brenda pesë orëve punë arrin ta grumbullojë njeri nga mjekët në ordinancën e tij private shumë afër QKU-së.

Edhe më tutje pjesa dërmuese e mjekëve në vend vazhdojnë t’i mbajnë nga dy punë. Shumica nga ta deri në drekë punojnë më klinika publike. Ndërkaq, në orët e pasdites ata kalojnë në sektorin privat, ku punojnë varësisht prej kërkesave që kanë.

Burime të besueshme të gazetës Zëri bëjnë të ditur se shumica e mjekëve ruajnë vendet e punës në sektorin publik, jo për të fituar pra, por për t’i krijuar lidhjet me pacientët, ku ata i orientojnë këta të fundit që të gjejnë shërim në klinikat e tyre private të cilat po rriten dita ditës.

Doktor Hasan Jakupi thotë se për vite të tëra ka punuar si mjek në sektorin publik. Por, nga viti 2002 e këndej ai thotë se është përcaktuar vetëm në sektorin privat.

“Në sektorin privat fitimi është shumë më i madh, dhe unë jam përcaktuar për këtë”,tha ai.Në anën tjetër, mjeket që punojnë vetëm në sektorin publik po ankohen se nga puna që bëjnë nuk arrin të sigurojnë ekzistencën për familjet e tyre.

Basri Lenjani thotë se nga paga që merr si drejtor i Qendrës Emergjente nuk po arrin ta përfundojë muajin si duhet.

Ai thotë se për punën që bën brenda një muaji në llogarinë e tij bankare merr vetëm 503 euro.

“Më duhet të futem borxh për ta përfunduar muajin. Për punën që ne bëjmë pagat janë shumë minimale. Por, kur i krahasojmë pagat tona me ato të kompanive publike, ne ndihemi të ofenduar” tha ai.

Sipas tij, cili do mjek që punon vetëm në Klinikë Publike e ka shumë të vështirë që ta kalojë muajin.

“Unë jam drejtor i Klinikës Emergjente dhe moralisht nuk mund të punoj në profesionin tim pas orarit të punës. Por, shumë mjekë po e bëjnë një gjë të tillë. Ata në privat fitojnë shumë më shumë se ne që jemi në publik”-tha ai.

Lenjani thotë se nivelimi i pagave në vend është veprim tejet i domosdoshëm, pasi që, sipas tij, paga e një pastruesi në një kompani publike është më e madhe se e një mjeku specialist në Qendrën Klinike Universitare. Lenjani thotë se QKU-ja është fjala e fundit e mjekësisë në vend.

“Për punë të vogla në disa raste pacientët zgjedhin klinikat private, por kur gjendja shëndetësore i përkeqësohet një pacienti atëherë alternativë i mbetet vetëm QKU-ja, sepse klinikat private nuk i pranojnë”,shtoi ai.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)