Klinika Syve pranon 21 mijë euro donacion në aparatura nga Çekia
Prishtinë, 14 maj - Klinika e Syve, sot ka pranuar një donacion në paisje në vlerë 21 mijë euro, nga “People in Need”, mundësuar nga Agjensioni Çek për Zhvillim.
Me këtë rast, Ramadan Berisha, i cili përfaqëson donatorin, tha se ky donacion është dhuratë nga populli çek. “Ky donacion realizohet në kuadër të projektit integrimi i personave me probleme me shikim”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, kjo aparaturë do të mundësoj dhe lehtësojë trajtimin e personave që kanë probleme me shikim, e që ka qenë edhe synimi kryesor i donacionit që është realizuar përmes Agjencisë Çeke, e cila është prezente nga viti 2010 në Kosovë.
Në anën tjetër, dr. Florim Zejnullahu, drejtor i Klinikës së Syve në QKUK, tha se donacion ka vlerë të madhe për Klinikën e Syve, ngase janë paisje dhe aparatura që nevojiten shumë për Klinikën Syve.
Ai falenderoj donatorin, duke rikujtuar se para 2 vjetëve, kishin sjellur edhe një doktor kirurg i cili ka punuar për 5 ditë në kuadër të Klinikës së Syve.