Klinika e Pediatrisë bëhet me sistem për monitorimin e pacientëve
Prishtinë, 15 nëntor - Klinika e Pediatrisë, përkatësisht Reparti i Njësisë Intensive, prej sot do ta ketë sistemin e monitorimit për pacientët 24-orë, pandërprerë. Përurimi i këtij sistemi është bërë në në prani të zyrtarëve të QKUK-së dhe donatorëve.
Dr. Nijazi Gashi, drejtor ekzekutiv i QKUK-së, tha se donacioni ka qenë i mirëseardhur për Klinikën e Pediatrisë dhe QKUK. ? Në kuadër të bashkëpunimit të QKUK-së, me asociacionet vendase dhe ndërkombëtare, është arritur deri te realizimi i këtij projekti mjaft të nevojshëm për pacientët e QKUK-së?, theksoi ai.
Sipas tij, ky është vetëm fillimi i realizimit të projekteve madhore në QKUK, pasi që, së shpejti falë ndihmës së donatorëve do të realizohet edhe projekti i emergjencës pediatrike, por do të ketë edhe projekte të tjera me rëndësi për pacientët.
Z. Ekrem Tahiri, nga Rotary Klubi i Kosovës, me këtë rast, theksoi se ky është vetëm njëri prej projekteve që është përkrahur nga Rotary Klubi, meqë më herët ka pasur edhe ndihma të tjera. Ai premtoi se edhe në të ardhmen do të vazhdojnë të mbështesin Klinikën e Pediatrisë dhe QKUK-në.
Dr. Lulzim Çela, nga organizata AIHA-s, sqaroi rëndësinë e projektit, duke shpjeguar se projekti është i ndërlidhur në 9 njësi të cilat dirigjohen nga 1 vend. Ai bëri të ditur se tash e tutje për fëmijët e shtrirë në Klinikë, do të jetë më e lehtë të përcjellët intensivisht gjendja, përfshirë edhe informatat që kërkojnë reagim të shpejtë.
Znj. Sarah Kabatt, trajnuese e stafit të Klinikës, theksoi se në Kosovë ka pasur rastin të takoj infermiere të shkëlqyera, të cilat shpejtë kanë mësuar përdorimin e kësaj aparature dhe që njohuritë e tyre do të kenë mundësi t?i përcjellin tek kolegët e tjerë.
Ky aktivitet është përkrahur nga partneriteti i Rotary Klubeve të Kosovës, Turqisë dhe Livermorit në SHBA, Asist International dhe AIHA-s. Vlera e pajisjeve është mbi 200,000 dollarë. Aparatura e instaluar ka 1 vit garanci të servisimit nga donatorët.