Kinë, 17 të vdekur nga virusi H7N9
Pekin, 19 prill - Virusi H7N9 ka infektuar mbi 80 persona, nga ku 17 prej tyre kanë vdekur.
Rasti i parë me virusin H7N9 në Pekin, një vajzë 7-vjeçare është shëruar dhe doli nga spitali pasditen e së mërkurës.
Shefi i grupit të ekspertëve të shëndetësisë Dong Zhaohui u shpreh se suksesi i shërimit të 7-vjeçares qëndron në përdorimin në kohën e duhur të anti-virusit.
\"Duhet të theksoj se përdorimi i anti-virusit erdhi në kohën e duhur, fëmija nisi trajtimin brenda 15 orësh dhe ka efekte të mira.\"
Një prej zyrtarëve pranë Qendrës së Kontrollit të Sëmundjeve të Kinës Feng Zijian u shpreh se deri tani virusi mund të transmetohet nga shpendët tek njeriu, duke shtuar se nuk ka fakte që virusi transmetohet nga njeriu tek njeriu.
Kjo u konfirmua edhe nga zëdhënësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Glenn Thomas i cili u shpreh se deri tani nuk ka dëshmi që virusi mund të transmetohet nga njeriu tek njeriu.
\"Ne jemi të shqetësuar në lidhje me këtë virus dhe jemi tepër vigjilentë. Ruajmë ende shkëmbimet dhe bashkëpunimin me partnerët tanë në fusha të ndryshme dhe zhvillojmë eksperimente e testime të ndryshme për të ndihmuar njerëzit të shërohen nga kjo sëmundje.\"