KFOR ka rreth 200 pjestarë të shërbimit zviceran

Prishtinë, 17 dhjetor - Dje, Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Francesco Paolo Figliuolo, u takua me Ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, shkëlqesinë e saj Krystyna Marty Lang, në kampin \"Film City\" Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it NATO-s në Prishtinë.
Gjenerali Figliuolo dhe shkëlqesia e saj Lang diskutuan shumë tema që lidhen me situatën e përgjithshme të sigurisë dhe zhvillimet e fundit në rajon. Për më tepër, Komandanti i KFOR-it ka falënderuar ambasadoren për kontributin e lartë të kontingjentit të Zvicrës në kuadër të KFOR, në aspektin e aftësive të vlefshme operacionale dhe personelit të specializuar dhe professional.
Në këtë drejtim, Gjenerali Figliuolo theksoi rolin e rëndësishëm të aseteve zvicerane të helikopterëve dhe inxhinierëve si dhe Detashmentit të Përbashkët Rajonal-Veri (DPR-V), i cili vepron në pjesën veriore të Kosovës me asete jo-kinetike, duke kontribuar në ndërgjegjësimin e KFOR-it për situatën në terren.
Shkëlqesia e saj Lang ka konfirmuar mbështetjen e Zvicrës ndaj KFOR-it. Përveç kësaj, ajo theksoi se qeveria zvicerane është aktive në Kosovë në fushën e shëndetësisë, infrastrukturës dhe integrimit të pakicave. Në veçanti, ambasadorja theksoi se Zvicra merr në konsideratë çështjet sociale të emigrantëve kosovarë.
Në fund, ata ranë dakord mbi rëndësinë e një qasje gjithëpërfshirëse që përfshin përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar për të arritur normalizimin e shoqërisë nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit në rajonin e Ballkanit.
Që nga tetori i vitit 1999, forcat e armatosura zvicerane kanë qenë të përfshira në misionin e KFOR-it. Aktualisht, janë rreth 200 pjestarë të shërbimit zviceran të vendosur në KFOR, kryesisht në Kampin Film City, në Kampin në Prizren dhe Kampin Marechal de Lattre de Tassigny (Vushtrri).