Këshilli Ndërministror shqyrton masat kundër Etheve Hemorragjike
Prishtinë, 29 korrik - Kryesuar nga Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, sot pasdite në Ministrinë e Shëndetësisë u mbajt takimi i Këshillit Ndërministror për luftimin dhe parandalimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo në Kosovë.
Ky këshill, formimin e të cilit e ka miratuar Qeveria e Republikës së Kosovës, me propozim të Ministrit Agani, ka për qëllim koordinimin e veprimeve dhe të aktiviteteve me qëllim të sigurimit të mbikëqyrjes dhe monitorimit të vazhduar të planit të veprimit të Strategjisë së Etheve Hemorragjike Krime Kongo (EHKK) në Kosovë.
Në takimin e sotëm, kryesuesi i Këshillit, Ministri Agani ka njoftuar përfaqësuesit e subjekteve pjesëmarrëse në këtë Këshill me hapat dhe aktivitetet që janë duke u ndërmarrë me qëllim të ballafaqimit me Ethet Hemorragjike Krime Kongo.
Kurse përfaqësuesit e resorëve të ndryshëm në Këshill, kanë raportuar për ecurinë e EHKK, e cila në periudhën 2 mars - 29 korrik 2013, ka rezultuar me raportimin e 4299 pickime, 138 raste të trajtuara sit ë dyshimta në EHKK, prej të cilave 23 kanë rezultuar pozitive, derisa ka pasur edhe tetë persona që kanë humbur jetën si pasojë e infektimit me Ethe Hemorragjike Krime Kongo.
Në Këshill janë të përfaqësuara Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, Qendra Klinike Universitare e Kosovës, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Takimi i radhës i Këshillit mbahet të premten, më 2 gusht 2013.