Kërcënon dhe sulmon Drejtorin, prokuroria e liron 3 herë brenda javës
Dr. Arsim Gashi, gjinekolog në QMF nr.5 në lagjen Dardania, është larguar përkohësisht nga puna për shkak të papërgjegjësisë së vazhdueshme në ushtrimin e detyrës, shkeljes së normave të punës, si dhe kërcënimit direkt serioz që ia ka bërë drejtorit të QKMF-së në Prishtinë z. Rrezart Halili. Drejtori i QKMF-së, këtë kërcënim e ka denoncuar në Polici.
Pas vendimit, Gashi ka filluar kërcënimet edhe ndaj Drejtorit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Prishtinë, Arben Vitia, dhe ky i fundit dy herë i ka denoncuar këto kërcënime në stacionin nr. IV të Policisë. Policët e këtij stacioni e kanë marrë me shumë seriozitet rastin.
Por, prokurori Musa Mehaj, në të dy rastet e ka liruar me procedurë të rregullt kërcënuesin Arsim Gashi, pavarësisht faktit se kërcënimet kanë qenë të vazhdueshme karshi z. Vitia. Duhet theksuar se rasti i dytë i denoncimit ishte kur Gashi ai ka shkuar në zyrën e drejtorit Vitia dhe ka kërcënuar përsëri duke lënë porosi tek asistentja e zyrës.
Së fundmi, më 31 janar, kërcënuesi Arsim Gashi ka ndjekur z. Vitia teksa ky i fundit bashkë me bashkëshorten po merrnin djalin e tyre nga shkolla.
Ai e ka ndalur, dhe në prezencë të familjes e ka sharë, kërcënuar dhe sulmuar fizikisht, duke i dhënë afat 24 orë për ta tërhequr vendimit ose përndryshe do të bëhet gjaku deri në gju, dhe do të jesh në gjak me mua, e nëse për dërzhavën do me hy në gjak me mu, vazhdo. Edhe pas këtij rasti, z. Arben Vitia ka njoftuar Policinë, dhe përsëri prokurori i rastit e ka liruar kërcënuesin Arsim Gashi.
Me tri denoncime për kërcënim brenda një jave, edhe për sulm fizik, prokurori i rastit ka vendosur që ta lë të lirë kërcënuesin dhe sulmuesin.
Prej rastit në rast, kërcënuesi Arsim Gashi veç e ka rritur dozën e kërcënimit, duke bërë edhe sulm fizik, e duke paralajmëruar edhe gjakderdhje. Një prokuror i tillë si Musa Mehaj, që nuk ndërmerr masat e duhura në kohë, është përgjegjës për çfarëdo pasoje të radhës në këtë çështje. Në një shtet të mirëfilltë e ligjor, ai prokuror qysh sot do të ishte duke u ndjekur penalisht.
Komuna e Prishtinës nuk do të ndalet, do të vazhdojë qeverisjen e mirë e të drejtë dhe nuk do të zmbrapset, pavarësisht presioneve dhe kërcënimeve që vijnë drejt nesh.