KDI kundër vendimit të ministrit Zemaj për rregullimin e çmimeve të barnave
Prishtinë, 5 gusht - Pas vendimit të Ministrit të Shëndetësisë z. Armend Zemaj për shfuqizimin e Udhëzuesit Administrativ për rregullimin e tavanit të çmimeve të barnave, Instituti Demokratik i Kosovës shpreh shqetësimet lidhur me largimin e çfarëdo mase të cilat ndikojnë në rregullimin e çmimeve në sektorin farmaceutik, në kohën më të vështirë të përballimit me krizën shëndetësore të krijuar me pandeminë COVID – 19.
Bazuar në raporte të ndryshme të cilat tregojnë për rritje enorme të çmimeve dhe ngrisin shqetësime rreth sinqeritetit afarist në këtë sektor. si në aspektin e blerjeve publike po ashtu edhe në atë privat, konsiderojmë se shfuqizimi i këtij Udhëzuesi Administrativ pa masa tjera të gatshme për parandalimin e keqpërdorimeve me barna është i dëmshëm për qytetarin, tashmë edhe më të varfëruar si pasojë e pandemisë.
Kujtojmë se Udhëzimi Administrativ 02/2019 për rregullimin e çmimeve të produkteve dhe pajisjeve medicinale kishte për qëllim të përcaktonte dhe rregullonte çmimet e produkteve medicinale për shitje me shumicë dhe pakicë në sektorin privat. Shfuqizimi i këtij udhëzuesi do të lejojë që qytetarët përsëri të blejnë barna të njëjta me çmime të ndryshme në barnatore si dhe qeveria të pranoj ofertat nga operatoret ekonomik me çmime të larta. Kosova është ndër shtetet e pakta në Evropë që nuk e ka të rregulluar tregun farmaceutik.
Sipas sqarimeve të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë, problemet lidhur me implementimin e këtij Udhëzuesi Administrativ në shumicë i atribuohen kapaciteteve dhe dyshimeve brenda Komisionit për përcaktimin e çmimeve referente dhe jo specifikisht dokumentit të shfuqizuar. Për më shumë, ky vendim është marr pa konsultime paraprake me publikun dhe hisedarët në proces për të trajtuar ndikimet potenciale në të gjitha fushëveprimtaritë.
Instituti i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që urgjentisht të shqyrtoj të gjitha opsionet për mbrojtjen e qytetarëve dhe buxhetit shtetërorë nga keqpërdorimet potenciale me çmimet e barnave, dhe të hartoj me urgjencë bazën ligjore dhe infrastrukturën implementuese për mbikëqyrjen e tregut farmaceutik.
Gjithashtu, Instituti kërkon edhe nga Kuvendi i Kosovës që përmes mekanizmave të tij të hetoj arsyet e këtij shfuqizimi dhe me qëllim të përfaqësimit të interesave të qytetarëve të rris mbikëqyrjen së punës së ekzekutivit veçmas gjatë kësaj periudhe të vështirë të përballjes me pandeminë aktuale.