Kastrati premton projekt për stimulimin e mjekëve mitrovicas
Mitrovicë, 17 mars - Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Shaqir Demiri, ka pritur të mërkurën në takim drejtuesit e spitalit rajonal Sami Beqiri, të udhëhequr nga drejtoresha Drita Fazliu, me të cilët ka biseduar për sfidat me të cilat po ballafaqohet ky institucion shëndetësor në Mitrovicë.
Kryetari Kastrati fillimisht u ka uruar funksionalizimin e objekteve të reja spitalore, ku tashmë kanë nisur punën disa reparte. Ai u ka premtuar se do tu ndihmoj me të gjitha mundësitë që ka komuna në dispozicion në mënyrë që të krijohen kushte për ofrimin e shërbimeve sa më të mira shëndetësore për qytetarët e këtij rajoni.
Në anën tjetër, Drita Fazliu, drejtoreshë e spitalit rajonal, tha se fillimi i punës në objektet e reja është duke u shoqëruar edhe me disa probleme, të cilat pritet të zgjidhen gradualisht. Ajo tha se tashmë është zgjidhur problemi që ka qenë sa i përket furnizimit me ujë, ndërsa tash ka nevojë edhe për të bërë një zgjidhje sa i përket furnizimit të vazhdueshëm me energji elektrike.
Drejtoresha Fazliu ka potencuar edhe problemin kyç që ka të bëj me kuadrot, të cilat mungojnë në këtë spital. Ne kemi në dispozicion 44 mjekë, ndërsa kemi nevojë për 122 sish në mënyrë që puna të jetë efikase në këtë spital, që planifikohet të ketë 220 shtretër.
Ajo ceku edhe problemin e specializantëve të rinj, duke pasur parasysh se Ministria e Shëndetësisë për çdo vit lejon vetëm një numër të kufizuar kuadrosh për qëllim. Duhet bërë çmos që të tejkalohen këto probleme, të cilat janë duke krijuar telashe për funksionimin normal të spitalit, ku tashmë janë funksionalizuar repartet e kirurgjisë, përderisa më vonë pritet të hapen edhe ato të internistikës.
Në lidhje me këto probleme, kryetari Kastrati, ka premtuar ndihmë konkrete. Ai ka thënë se duhet bërë një projekt për stimulimin e mjekëve për të ardhur në Mitrovicë. Ne do ti analizojmë të të gjitha mundësitë, në mënyrë që të sigurojmë transport, mandej një shujtë, por edhe një shumë si stimulim për mjekët që vendosin të punojnë në Mitrovicë.
Kryetari Kastrati e ka vlerësuar si shumë të nevojshme që të gjithë të angazhohen që ky spital të jetë në një nivel sa më të lartë, meqë në këtë mënyrë lehtëson edhe punën e QKUK-së. Ai ka thënë se duhet të gjenden forma edhe për tu hap rrugë dhe mundësi mjekëve që duan të specializojnë në mënyrë që për disa vjet të krijohet një bazë e mirë në aspektin e kuadrove.
Në këtë kuadër edhe drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Shaqir Demiri, ka thënë se komuna është e gatshme që të ndihmoj me të gjitha mundësitë, përkundë faktit se spitali është nën kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë. Qytetarët e këtij rajoni meritojnë kushte dhe tretman më të mirë në fushën e ofrimit të shërbimeve shëndetësore, meqë ata që dhjet vite janë ballafaquar me probleme të mëdha.