Kanceri nga duhani një nga arësyet kryesore të vdekjeve në botë
SHBA, 12 nëntor - Kanceri në mushkëri i shkaktuar nga duhani është një nga arësyet kryesore të vdekjeve në mbarë botën. Shumica e njerëzve që preken nga kanceri në mushkëri nuk i shpëtojnë dot vdekjes.
Më shumë se 5 milionë njerëz humbasin jetën çdo vit nga përdorimi i duhanit shumica e tyre në vendet në zhvillim.
Tani një studim në Shtetet e Bashkuar tregon se bërja e një analize më të imtësishme, siç është ajo e tomografisë së kompjuterizuar, apo siç njhet, skaneri CT, në vend të radiografisë së zakonshme, për ata që pijnë duhan, mund të pakësojë vdekjet nga kanceri i mushkërive.
Shumica e njerëzve vdesin nga kanceri në mushkëri, pasi ky kancer është vështirë të diagnostikohet në fazat e herëshme.
Por studimi i sponsorizuar nga Insituti Kombëtar i Kancerit tregon se skaneri CT me doza të pakta mund të ulë me 20 përqind vdekjet nga kanceri i mushkërive.
Tomografia e kompjuterizuar, që proddhon imazhe tre dimensionale, jep një pamje më të plotë të mushkërive sesa një radiografi tradicionale dhe ka më shumë të ngjarë të zbulojë tumore të vegjël që mund të hiqen me operacion.
Rezultatet fillestare ishin aq të papritura saqë studimi u ndalua më shpejt në mënyrë që të informohej publiku.
Dr. Claudine Isaacs është specialiste për kancerin në qendrën Lombardi të spitalit Georgetown në Uashington.
\"Mendoj se ka arsye për të qënë optimist rreth këtij studimi. Provat janë në shkallë të madhe dhe të kontrolluara. Ka 53 mijë njerëz që po analizohen të cilët u skanuan në vend që të bënin radiografi.\"
Studimi ndoqi gra dhe burra të moshës mesatare dhe mbi mesatare, përdorues apo ish përdorues duhani, nga 33 qytete në mbarë Shtetet e Bashkuara. 1 mijë e 800 nga pjesëmarrësit u analizuan në qendrën Lombardi në spitalin e univeristetit Georgetown.
Për tre vjet, ata iu nënshtruan skanerit CT ose radiografisë standarte. Shëndeti i tyre u monitorua për pesë vjet për të parë në se ata do të prekeshin nga kanceri i mushkërive. Dr. Isaacs thotë se në se skaneri CT zëvendëson radiografinë, mund të shpëtohen jetë njerëzish.
Por skaneri CT është i shtrenjtë dhe nuk mbulohet nga sigurimi shëndetësor në Shtetet e Bashkuara. Në shumë vende në zhvillim, kostoja mund të jetë edhe më penguese. Një shqetësim tjetër është rrezatimi.
Një skaner CT edhe në doza të ulta shpërndan gati 15 herë më shumë rrezatim sesa një radiografi e thjeshtë. Dr. Isaacs thotë se një skaner CT mund të zbulojë edhe anomali të mushkërive që nuk janë kanceroze por që mund të çojnë në operacione të panevojshme.
Megjithatë, Dr. Isaacs shpreson që studimi do të bëjë që njerëzit të mendojnë më shumë për ta lënë duhanin.
\"Mënyra më e rëndësishme që mund të ulen rastet e kancerit të mushkërive dhe vdekshmëria është të ndalohet duhani ose ata që e pinë ta lënë.\"
Kritikët e skanimit shqetësohen se duhanpirësit mund të mos motivohen të lënë duhanin në se besojnë se kjo analizë mund tu shpëtojë jetën në se preken nga kanceri.