Kampi Bondstel, dhuron donacion në vlerë rreth 230 mijë dollar
Prishtinë, 27 gusht - Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), përkatësisht Klinika Obstetrike Gjinekologjike dhe Klinika e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë pranuar donacion në vlerë rreth 230,000 dollar nga Njësiti mjekësor i Forcave Ushtarake Amerikane në Kampin Bondstel.
Zv. Ministri i Ministrisë Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Dr. Shemsi Veseli, falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën e dhënë për Republikën e Kosovës në të gjitha sferat e në veçanti në shëndetësi.
Sot është një ditë e veçantë për shëndetësinë e Kosovës, sepse janë dy donacione shume të rëndësishme, aparatura që ka të bëjë me Klinikën e Gjinekologjisë, një ultrazë e cila ndikon pozitivisht në preventivën e shtatzënisë, për gratë dhe nënat tona. Njëherit edhe një aparaturë tjetër që është në Klinikën e Ortopedisë, që e tregon imazherinë radiologjike brenda aparatit. Këto nuk janë ndihmat e vetme, por janë ndër ndihmat e vazhdueshme që SHBA-të kanë dhënë për shëndetësinë e Kosovës ka thënë Zv. Ministri Veseli.
Zëvendës Ambasadorja e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Jennifer Bacchus, tha se ndihet e nderuar që zyrtarisht tua dorëzoj dy pajisje mjekësore Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
Këto aparatura kanë vlerë përafërsisht 230 mijë dollarë. Pajisja e ultrazërit i cili veç është instaluar në Klinikën e Gjinekologjisë gati qe dy muaj, ndihmon më shumë se 30 gra për çdo ditë, tha Zv. Ambasadorja Bacchus.
Ne kemi dhuruar edhe një aparaturë e cila është instaluar në Klinikën e Ortopedisë, ajo është një pajisje shumë e rëndësishme për pacientët. Që prej vendosjes së këtyre dy pajisjeve në klinikat e QKU-së ato kanë ndihmuar në qindra pacientë duke iu ofruar përkujdesje shëndetësore më të mirë dhe gjithëpërfshirëse shtoi zv. Ambasadorja.
Ne shpresojmë që edhe në të ardhmen do ta ndihmojmë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës tha në fund Zv. Ambasadorja Bacchus.
Drejtori i Përgjithshëm SHSKUK-së Dr. Curr Gjocaj, falënderoi Ambasadën Amerikane për këtë donacion, duke shtuar se donacionet e tilla do të lehtësojnë punën në QKUK dhe përmes aparaturave të siguruara do të ofrohen kushte më të mira për pacientët.
Kam nderin që në emër të SHSKUK-së ku bënë pjesë edhe QKUK-ja ti falënderojmë Ambasadën Amerikane edhe kolegët në Kampin Bondstill, si dhe popullin amerikan që në formë të vazhdueshme ka ndihmuar dhe vazhdon ta ndihmoj popullin e Kosovës, konkretisht pacientin e Kosovës dhe shpresojmë që do të kemi bashkëpunim edhe në të ardhmen, tha Drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së.
Donacioni i dhuruar kohë më parë nga Njësiti mjekësor i Forcave Ushtarake Amerikane në Kampin Bondstil e që sot u dorëzua edhe zyrtarisht nga Zv. Ambasadorja Bocchus, përmban një ultrazë për Klinikën e Gjinekologjisë dhe një C-ARM e cila shërben për fotografimet radiologjike me imazh të transmetuar në monitor, për Klinikën e Ortopedisë.