Kadaj-Bujupi: E domosdoshme mbështetja me shtesat për fëmijët në Kosovë
Prishtinë, 2 shkurt - Mirëqenia sociale është parakusht themelor për të pasur një vend i cili në rrugëtimin drejt ndryshimit nuk fragmentohet në zona dhe shtresa të pakënaqura dhe përjashtuara, ka thënë Donika Kadaj-Bujupi, deputete dhe kryetare e AGK-së.
Aleanca kërkon sigurimin e shtesave për fëmijë, si nevojë urgjente për zbutjen e varfërisë, e cila po dërmon familjet në Kosovë.
Qëndrimet e saj në lidhje me gjendjen sociale në vend, deputetja Kadaj-Bujupi i ka prezantuar sot në një konferencë për shtyp.
Hartimi i politikave sociale për tu bërë ballë sfidave nga Institucionet përgjegjëse në Kosovë kërkojnë me urgjencë ti mobilizojnë të gjitha resurset humane, intelektuale, teknike dhe politike në hartimin e politikave të adekuate sociale dhe në krijimin e një sistemi ekonomik të qëndrueshëm i cili do të siguronte mbështetje të fortë financiare për tejkalimin e vështirësive: sanimin e gjendjes ekzistuese, zbutjen e varfërisë dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, tha ajo.
Më tej Kadaj - Bujupi tha se Aleanca kërkon sigurimin e shtesave për fëmijë si nevojë urgjente për zbutjen e varfërisë e cila po dërmon familjet në Kosovë. Zhvillimi socio-ekonomik i Kosovës dhe përparimi i saj i përgjithshëm varet nga shfrytëzimi i plotë i burimeve të saja njerëzore, si grave ashtu edhe burrave.
Margjinalizimi i vazhdueshëm dhe përjashtimi i grave që në shifra janë 860,274 e popullatës së përgjithshme është një pengesë madhore ndaj zhvillimit të shpejtë socio-ekonomik të vendit. Për më tepër ka prodhua varfëri ekstreme në të cilën më të prekurit janë të dobëtit dhe të dobëtit janë gratë dhe fëmijët, tha ajo.
Sipas Kadaj-Bujupi, Kjo gjendje është alarmante dhe kërkon veprime të menjëhershme nga ana e Institucioneve në vend, qeverisë dhe ministrive të linjave.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në kuadër të platformës për zhvillim të përgjithshëm të vendit, planit të vet sektorial, ka hartuar platformën për integrim të plotë të gruas në shoqëri dhe do ta jetësoi Strategjinë Kombëtare për gruan dhe avancimin e saj, tha Kadaj-Bujupi.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës propozon që të aplikohen shtesat për fëmijë në shumën 15 deri 35 euro në muaj varësisht nga numri i fëmijëve. Për fëmijën e parë 15, fëmija i dytë 25 dhe fëmija i tretë 35 euro për muaj. Kjo ndihmë do te lehtësonte sadopak barrën tepër të rend që bartin mijëra familje në Kosovë dhe rreth 900 mijë gra dhe vajza të Kosovës, të cilave ky sistem Qeverisës nuk u mundësoi të drejtën për punësim, tha ajo.
Për këtë vit Aleanca propozon që mjetet për shtesa të sigurohen nga shumat milionëshe të cilat në vijën buxhetore figurojnë si të pa specifikuara (rasti i 7 milion eurove) që nga praktika e viteve të kaluara do të shfrytëzohen për fushata zgjedhore, mallra shërbime, telefona e vetura.