26 Dhjetor 2024

Javën e ardhshme vihet në provë vaksina kundër Ebolas

Washington, 30 gusht - Instituti Kombëtar Amerikan për Shëndetin, NIH, thotë se javën e ardhshme do të vihet në provë tek njerëzit një vaksinë eksperimentale për Ebolën.

Në një deklarataë të Institutit të publikuar të enjten thuhet se prova në fazat e hershme do të vlerësojë sigurinë e vaksinës dhe aftësinë për të nxitur një përgjigje nga sistemi imunitar tek të rriturit e shëndetshëm.

Vaksina është prodhim i përbashkët i institutit NIH dhe kompanisë farmaceutike britanike GlaxoSmithKline.  Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar për Alergjinë dhe Sëmundjet Infektive, pjesë e NIH-it, tha se vaksina pati rezultate jashtëzakonisht të mira në mbrojtjen e kafshëve gjitare nga infeksioni i Ebolës.

Provat do të bëhen në qendrën e NIH-it në Bethesda të Maryland-it, si dhe në Britani dhe në vendet e Afrikës Perëndimore Gambia dhe Mali. Zhvillimi dhe provat për vaksinat e Ebolës po përshpejtohen, për shkak të shpërthimit të epidemisë në Afrikën Perëndimore.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se mbi 1 mijë e 400 vdekje të dyshuara dhe të konfirmuara nga Ebola janë njoftuar në Guine, Liberi, Nigeri dhe Sierra Leone, që nga shpërthimi i epidemisë në mars të këtij viti.

Më shumë se gjysma e 3609 personave që janë raportuar të jenë infektuar nga Ebola deri më tani në Liberi, Sierra Leone, Guine dhe Nigeri kanë vdekur. Disa ekspertë thonë se numri i rasteve është ndoshta më i lartë.

“Nga informacioni i pjesshëm që disponojmë, mendojmë se ka të paktën katër herë më shumë raste nga ç’regjistrohen në zonat më të infektuara”, thotë Dr. Jorge Castilla, epidemiolog.

Qeveria e Liberisë ka urdhëruar vendosjen e disa zonave nën karantinë, por epidemia ka arritur edhe në kryeqytetin Monrovia, ku punonjësit e shëndetësisë thonë se situata është katastrofike.

“Sistemi i kujdesit shëndetësor pothuajse ka ngecur. Spitalet janë mbyllur. Klinikat janë mbyllur dhe disa janë rihapur më vonë, por stafi është i frikësuar të rikthehet pasi druhen mos marrin sëmundjen. Ka patur shumë raste punonjësish të shëndetit të cilët kanë vdekur”, thotë Lindis Hurum, bashkërenduese ndihmash.

Disa vende kanë mbyllur kufijtë për ata që udhëtojnë nga vendet më të infektuara. Presidenti i Ganës, John Dramani Mahama, i kritikoi ditën e enjte këto lloj masash.

“Ebola i ka damkosur vendet tona, dhe nuk mund të bëjmë pa bashkuar forcat dhe burimet tona për ta mundur atë. Aktualisht në rajon, Ebola raportohet zyrtarisht se gjendet në katër vende. Por, i gjithë nën-rajoni i Afrikës Perëndimore i përbërë prej 15 vendesh, dhe madje dhe e gjithë Afrika si e tërë, me 54 shtete, është damkosur nga sëmundja.”

Ekspertët e mjekësisë thonë se mbyllja e kufijve realisht kërcënon edhe përpjekjet për të luftuar sëmundjen.

“Ndalimi i udhëtimit dhe tregëtisë nuk do ta ndalojë virusin. Absolutisht jo. Në fakt, ka më shumë gjasa të kompromentohet aftësia për t’iu përgjigjur dhe që të shtohet edhe më tej sëmundja, ndërkohë që edhe më shumë njerëz përpiqen të zhvendosen.\"

\"E vendosim veten më shumë në telash kështu. Është një strategji e gabuar ndalimi i udhëtimit, pasi nuk është ai problemi. Njerëzit e infektuar nga Ebola shfaqin simptoma. Madje ata mund të kontrollohen në dalje të kufirit dhe kështu të mundemi ta reduktojmë dukshëm këtë rrezik”, thotë Dr. Bruce Aylward, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha ditën e enjte se i duhen 490 milionë dollarë për një fushatë 6-mujore për të luftuar virusin. Ata e quajnë këtë plan “udhërrëfyesi Ebola”.

Instituti Kombëtar i Shëndetit i SHBA-së njoftoi gjithashtu se një vaksinë eksperimentale për Ebolan do të testohet tek njerëzit gjatë javës së ardhshme.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)