Japonia ndan 69 mijë euro për pajisje mjekësore për QKMF në Klinë
Klinë, 10 mars - Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare Nënë Tereza në Klinë është përfituese e një projekti prej 68 mijë e 229 euro nga Qeveria Japoneze, për pajisje shëndetësore.
Bëhet fjale për 1 autoambulancë, 1 veturë dedikuar për hemodializë dhe komplet pajisjet për laboratorin e kësaj qendre shëndetësore.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, kanë marrë pjesë kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, drejtori i Shëndetësisë, Bedri Gashi dhe drejtoresha e QKMF-së Nënë Tereza dr. Drita Gjergji.
Ky grant do të ketë ndikime jashtëzakonisht pozitive, sepse krijon parametra për ofrimin e shërbimeve më cilësore shëndetësore për qytetarët e Komunës së Klinës, ka thënë me këtë rast kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota.
Ambasadori i Japonisë, Kiyoshi Koinuma, ka thënë me këtë rast se investimi i Qeverisë Japoneze do të ndikojë në përmirësimin e standardeve për qytetarët e komunave përfituese.
Klina është përfituese e këtij projekti bashkë me katër komunat tjera të Kosovës.
Komuna e Klinës ka aplikuar në maj të vitit 2016 nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse Japoneze në Prishtinë për përfitimin e Grantit të Asistencës Bazike për Sigurinë Humane të Qeverisë Japoneze, me çrast është konfirmuar miratimi i përfitimit të një (1) autoambulance standarde dhe një (1) autoambulance për nevojat e pacientëve me hemodializë si dhe pesë (5) pajisjeve laboratorike: Aparatit hematologjik, aparatit biokimik, mikroskopit, roller mikserit dhe centrifugave.
Projekti financohet nga Qeveria Japoneze nga granti i Projekteve Bazike për Siguri Njerëzore ( të quajtur GGP). i miratuar nga Qeveria e Japonisë.