Japonezët interesohen për mjekimin e fëmijëve nga Kosova
Prishtinë, 10 dhjetor - Një delegacion i Institutit Kombëtarë për trajtim të nënës dhe fëmijës nga Japonia po qëndron për vizitë pune në Kosovë.
Delegacioni nga Japonia ka vizituar Klinikën e Pediatrisë ku është informuar nga afër me punën që bëhet në këtë klinikë dhe për mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë.
Ahmet Shala, Ambasador i Kosovës në Japoni, iniciatorë i këtij bashkëpunimi, shpjegoi se gjithçka ka filluar me interesimin që kishte shprehur një prind i fëmijës nga Kosova i cili ishte i diagnostifikuar me sëmundjen apo sindromën e Kawasakit.
Me interesimin e prindërit në fjalë, menjëherë kam kontaktuar qendrat shëndetësore në Japoni dhe kam vënë kontakt me Institutin Kombëtarë për nëna dhe foshnje që është i specializuar për trajtim të fëmijëve, ndërkohë pas takime jemi pajtuar që drejtuesit e kësaj qendre të vijnë në Kosovë dhe të fillojë bashkëpunimin me QKUK dhe Klinikën e Pediatrisë, theksoi Shala.
Sipas tij, mjekët pas vizitës që kanë pasur në Klinikën e Pediatrisë kanë vërtetuar se ka kuadro të mira profesionale, por nevojiten trajnime, aparaturë e avancuar dhe funksionalizim i aparaturës ekzistuese.
Në anën tjetër, Dr. Dr. Tomoaki Kato, zëvendësdrejtor Institutit Kombëtarë për trajtim të nënës dhe fëmijës në Japoni, tha se pas interesimit të ambasadorit Shala, janë shprehur të gatshëm të vijnë në Kosovë dhe të shohin nga afër gjendjen.
Nga ajo që pamë në Klinikën e Pediatrisë, u vërejt se ka kuadro të mira, por nevojiten trajnime dhe shkëmbime të përvojave, pra mjekët dhe infermieret duhet të vijnë në Japoni për trajnime dhe avancime të mëtejme, u shpreh Dr. Kato.
Dr. Ramush Bejiqi, pediatër-kardiolog, theksoi se ndihmesa nga mjekët japonez është e mirëseardhur për Klinikën e Pediatrisë, duke shtuar se ata u shprehën të gatshëm të trajnojnë në QKUK dhe Japoni, mjekë dhe infermiere nga QKUK.