Italia kontribuon në përparimin e shëndetit të popullatës kosovare
Prishtinë, 27 mars - Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës Ferid Agani i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm Gani Shabani, priti sot Ambasadorin e Republikës së Italisë në Kosovë, Andreas Ferrarese.
Në takim u bisedua për riaktivizimin e projektit të qeverisë italiane në mbështetje të shëndetësisë kosovare.
Ministri Agani, falënderoi Ambasadorin Ferrarese për kontributin e Qeverisë italiane dhënë sektorit shëndetësor kosovar deri më tani, duke shprehur interesim dhe nevojën e madhe për mbështetje të mëtejme dhe bashkëpunim në fushat e identifikuara si prioritare siç është fusha e kardiokirurgjisë, ku Qeveria italiane po jep kontributin e saj.
Ministri Agani e vlerësoi si të mirëseardhur edhe trajnimin e kuadrove mjekësore kosovare që janë në proces të ngritjes profesionale në mënyrë që të jenë të gatshëm që përvojat e fituara nga ekspertët italianë ti ushtrojnë në shërbimet shëndetësore publike të Kosovës.
Ambasadori Ferrarese theksoi se interesimi i Qeverisë italiane është që të bashkëpunohet dhe kontribuohet në promovimin dhe përparimin e shëndetit të popullatës kosovare , dhe në këtë aspekt, është zotuar se projektet e filluara të realizohen.
Ministri Agani dhe Ambasadori Ferrarese shprehën vendosmërinë e tyre për të bashkëpunuar dhe për të kontribuar në mënyrë konstruktive dhe thelbësore për të realizuar qëllimin e bashkëpunimit të shprehur edhe përmes marrëveshjes së bashkëpunimit në shëndetësi midis dy shteteve.