Italia konfirmon një ngadalësim i nivelit të përhapjes së koronavirusit
Romë, 24 mars - Italia ka konfirmuar rritjen e numrit të vdekjeve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në 6.820, me 743 vdekje të raportuara vetëm në 24 orët e fundit.
Shifrat e fundit të Departmentit të Mbrojtjes Civile të Italisë tregojnë se numri i përgjithshëm i rasteve të infektuara në vend vazhdon të rritet, por me një ritëm më të ngadaltë për ditën e tretë me radhë.
Po ashtu u konfirmua një ngadalësim i nivelit të përhapjes së koronavirusit, pasi rastet e infektuara arritën në 54.030 me një rritje prej 7 për qind në 24 orët e fundit.
Epiqendra e shpërthimit në Itali mbetet rajoni verior i Lombardisë, i cili numëron 4.178 viktima.
Kabineti i qeverisë italiane sot miratoi një dekret të ri, i cili paraqet sanksione më të fuqishme dhe gjoba më të larta për qytetarët që shkelin rregullat e bllokimit.
Të shtunën e kaluar, kryeministri italian, Giuseppe Conte, shpalli rregulla të reja të bllokimit për të luftuar përhapjen e koronavirusit, duke imponuar një ndalesë për të gjitha kompanitë jo-strategjike të vendit. Por masat u kritikuan nga partitë opozitare, grupet e biznesit dhe sindikatat.
Sindikatat kanë kërcënuar me një grevë në mbarë vendin për të protestuar kundër masave dhe menaxhimit të qeverisë me krizën.
Pas shfaqjes në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, koronavirusi është përhapur në të paktën 169 vende dhe rajone. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shpallur shpërthimin një pandemi globale.
Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins në Maryland, numri i rasteve të konfirmuara në të gjithë botën ka tejkaluar shifrën 407 mijë, me mbi 18 mijë vdekje dhe mbi 103 mijë të shëruar.