Ish-kryeministri Bajram Rexhepi ndodhet ende në koma
Stamboll, 18 qershor- Ish-kryeministri Bajram Rexhepi ende vazhdon të jetë në gjendje kome në një spital në Stamboll. Kështu bën të ditur konsulli i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Ankara, Rrahim Morina.
"Sot, i bëra një vizitë ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi, i shtrirë në spitalin Dr.Osman Mazhar-Stamboll. Ish-kryeministri ende vazhdon të jetë në gjendje kome të thellë dhe nën kujdesin permanent të mjekëve. Me këtë rast e falënderoj drejtorin e spitalit dhe mjekët për kujdesin që po tregojnë", ka shkruar Morina në një postim në llogarinë e tij në Facebook.
Morina shprehet se si Konsullatë e Përgjithshme janë duke e përcjell nga afër gjendjen shëndetësore të Rexhepit dhe se janë në kontakt permanent si me mjekët po ashtu edhe me familjen tij.
"Për fund, sot në ditën e baballarëve, uroj që një ditë Bajram Rexhepi të zgjohet nga kjo komë e thellë dhe të kthehet pranë më të dashurve të tij", ka shkruar Morina.