Interesohen për gjendjen shëndetësore të komunitetit RAE
Prishtinë, 27 shtator - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani me Zëvendësministrin Kadir Hyseini dhe ushtruesin e detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm, Gani Shabani, pritën sot në një takim Grupin punues të Komisionit Parlamentar për Komunitete dhe Kthim për monitorimin e zbatimit të Strategjisë për komunitetin RAE, të kryesuar nga deputeti Albert Kinolli.
Në këtë takim, ky grup punues është interesuar të marr informacione lidhur me gjendjen shëndetësore të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, punësimin e tyre si dhe sfidat e Ministrisë së Shëndetësisë në adresimin e përgjegjësive që dalin nga kjo strategji dhe që lidhen me shërbimet shëndetësore.
Deputeti Kinolli shprehu falënderimin e tij për MSh-në që ka ndihmuar në trajtimin jashtë vendit të disa pacientë nga komuniteti RAE që nuk kanë mundur të trajtohen në Kosovë, punësimin e disa pjesëtarëve të këtij komuniteti në sektorin shëndetësor dhe zhvillimin e disa programeve që ndikojnë në përmirësimin e jetës së komunitetit RAE në Kosovë.
Ministri Agani e njoftoi grupin nga Komisionit Parlamentar për Komunitete dhe kthim për programin e veçantë të MSh-së për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për komunitetin RAE në zonën e Mitrovicës për zvogëlimin e ekspozimit të plumbit në tokë duke themeluar Njësinë për metale të rënda në QKMF-në e Mitrovicës si dhe sigurimi i aparaturës për parametrat hematologjik, sigurimin e terapisë me Mercy Corps për eliminimin e plumbit në gjak, si dhe për Zhvillimin e një programi të veçantë të imunizimit përmes IKSHP-së për komunitetin RAE.
Falë, këtij programi, theksoi Ministri,1050 fëmijë të këtij komuniteti janë vaksinuar dhe u është dhënë kartela mjekësore.
Në këtë takim është biseduar edhe për mundësitë e tjera për të ndihmuar komunitetin RAE në fushën e shërbimeve shëndetësore, të shkollimit dhe punësimit në këtë sektor, derisa ka theksuar se reforma shëndetësore, do të hap mundësi të mira në këtë drejtim.