Infermierë dhe punëtorë shëndetësor protestojnë sot para Klinikës së Kirurgjisë
Prishtinë, 2 tetor - Sindikata e Infermierëve të Kosovës ka ftuar të gjithë punëtorët shëndetësor, organizatat dhe shoqatat tjera përfaqësuese që të protestojnë sot para Klinikës së Kirurgjisë me moton "Na quajtët heronj, andaj mos na vrisni".
Ky vendim për protestë ka ardhur pas takimit me Kryesinë, Këshillin Drejtues dhe Këshillin organizativ për protesta në kuadër të Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, duke e vërejtur fenomenin në rritje të abuzimeve verbale dhe sulmeve fizike, respketivisht sulmin e fundit ndaj infermiert në vendin e punës, si pasojë e të cilit u rrezikua edhe jeta e tij.
Sindikata e Infermierëve të Kosovës u bën apel Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Shëndëtësisë dhe SHSKUK-së që të kenë zero tolerancë ndaj veprimeve që e bëjnë të pa mundur punën e punëtorëve shëndetësor dhe cenojnë jetën e tyre.
"Kërkojmë nga institucionet e lartëpermendura që të sigurojnë ambient të sigurisë për punë për punëtorë shëndetësor dhe të shtohen masat e sigurisë në klinika pa prioritizime", ka deklaruar Sindikata.