India e gatshme të mbështesë shëndetësinë kosovare
Prishtinë, 27 janar - Zëvendësministri i parë i Shëndetësisë dr. Shemsi Veseli priti sot në takim një delegacion të Odës Ekonomike Indiano-Kosovare, të kryesuar nga presidenti i saj, Anil Mishra.
Në këtë takim është biseduar për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë midis dy vendeve, me theks të veçantë në fushën e shërbimeve mjekësore, në të cilat profesionistët shëndetësore nga India do të mund të kontribuonin në Kosovë.
Zëvendësministri Veseli ka njohur delegacionin e Odës Ekonomike Indiano-Kosovare me procesin e reformave në sistemin shëndetësor, shërbimet ekzistuese, bashkëpunimin me donatorët dhe perspektivat e sektorit. Në këtë aspekt, ai ka mirëpritur bashkëpunimin me të interesuarit nga fusha e shëndetësisë nga India, bazuar në legjislacionin në fuqi dhe nevojat e sistemit shëndetësor të Kosovës.
Në këtë takim, në të cilin është biseduar edhe për mundësinë e nënshkrimit të një Memorandumi të bashkëpunimit, është vlerësuar gjithashtu se përmes bashkëpunimit profesional, mund të kontribuohet edhe në forcimin e bashkëpunimit në planin politik midis dy vendeve.