IKSHPK raporton 11 vdekje dhe 873 raste me koronavirus
Prishtinë, 27 mars - Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 4.371 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 873 raste pozitive.
Brenda 24 orëve sipas IKSHPK-se janë raportuar 11 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Skënderaj 3 raste (83, 74, 69 vjeç), Prishtinë 2 raste (85, 70 vjeç), Gjakovë 1 rast (79 vjeç), Klinë 1 rast (62 vjeç), Lipjan 1 rast (69 vjeç), Pejë 1 rast (76 vjeç), Prizren 1 rast (36 vjeç), Suharekë 1 rast (63 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 87.067 raste nga 410.169 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.830 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 544 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 71.813 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.424.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 372 raste, Gjilan 83 raste, Fushë-Kosovë 60 raste, Gjakovë 53 raste, Mitrovicë 51 raste, Vushtrri 42 raste, Podujevë 37 raste, Pejë 36 raste, Ferizaj 32 raste, Obiliq 18 raste, Kamenicë 15 raste, Drenas 11 raste, Prizren 9 raste, Viti 9 raste, Skenderaj 6 raste, Deçan 5 raste, Graçanicë 5 raste, Leposaviq 5 raste, Rahovec 5 raste, Junik 4 raste, Klinë 4 raste, Lipjan 3 raste, Istog 2 raste dhe me nga një rast komunat: Dragash, Kaçanik, Malishevë, Novobërdë, Shtime dhe Suharekë.
''Duke pasur parasysh vlerësimin dinamik dhe në kohë reale të situatës epidemiologjike me COVID -19, sot janë raportuar 873 raste pozitive, që paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive këtë vit me tendencë të rritjes ditëve në vijim'', thekson IKSHPK.
Vetëm në Prishtinë janë raportuar 372 raste pozitive. Shprehim ngushëllime familjarëve për 11 rastet e vdekjeve të raportuara gjatë 24 orëve të fundit.
Numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave.
Mjekët të stërngarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore.
IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Masat parandaluese janë të njëjta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit.